Connect with us

Politike

Rama në Beograd për ‘Open Balkan’

‘Open Balkan’ do të nisë sot me Beograd, ku pritet të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve. Kjo do të zhbllokojë plotësisht tregtinë mes shteteve të Ballkanit, përur të mos u përsëritur situata si ajo për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia bllokoi grurin për Shqipërinë dhe Maqedonia e Veriut vajin. Sot do të nisë Panairi Ndërkombëtar i Verës që do të eskpozohet për 4 ditë në kryeqytetin serb ndërsa nesër do të mbahet samiti mes liderëve të Ballkanit të Hapur. Panairi do të mirëpresë prodhuesit më të mirë të verës në rajon me qëllim promovimin e kombinimit unik të shijeve dhe aromave që përfaqësojnë frymën e Ballkanit, gjeografinë e tij dhe pasurinë e tij të varieteteve. Në panair do të prezantojnë produktet e tyre  edhe kompani europiane dhe botërore, lider në vreshtari dhe prodhimin e verës. Më shumë se 250 ekspozues nga  Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, si dhe nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Italia, Spanja, Franca, Turqia, Argjentina, Kalifornia, Afrika e Jugut, etj, do të jenë pjesë e tij.

Ndërsa ditën e nesërme, krahas liderëve të vendeve që e kanë krijuar këtë nismë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në takimin në Beograd  për samitin do të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Hungaria dhe Turqia. Mësohet se do të presin ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto dhe minstrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu. Ndërkohë, sikur edhe në takimin e fundit të kësaj iniciative, të mbajtur në Ohër, të pranishëm do të jenë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnjë-Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija.

Kryeministri Rama do t’i adresohet Samitit me një fjalë përshëndetëse në seancën e hapjes së tij. Gjatë ditës së Samitit do të zhvillohen takime të ndryshme në kuadër të nismës, si takimi me përfaqësues të grupit të investimeve të Open Balkan, takim me përfaqësues të grupit të krizave ushqimore dhe energjetike të Open Balkan, etj, Më pas, do të firmosen disa marrëveshje bashkëpunimi mes vendeve dhe në mbyllje liderët pjesëmarrës do të japun një konferencë të përbashkët për shtyp.

Advertisement