Politike
Rama nis sot vizitë dyditore në Francë, nesër pritet nga presidenti Macron
Kryeministri Edi Rama nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në Paris, Francë, me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron, ku do të zhvillojë një sërë takimesh të përqendruara kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Të premten, në orën 12.30, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, e më pas në orën 13.00, Kryeministri Rama do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të pritet nga Presidenti francez Emmanuel Macron me të cilin do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.
Më pas, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Macron do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve.
Në orën 14.45, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Francez Macron do të zhvillojnë një takim kokë më kokë mes tyre.
Axhenda do të vijojë në orën 16.00 me vizitën dhe takimet në STATION F, inkubatori më i madh në botë i startup-eve dhe inovacionit, si dhe me mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri –CIFA, ku do të marrë pjesë edhe Sekretarja franceze e Shtetit për Industrinë Numerike, përfaqësues të ministrive franceze të Jashtme dhe të Ekonomisë, si edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.
Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.