Connect with us

LAJMI I FUNDIT

Rama nxjerr bllof Konjufcën: S’folëm për draftin, nuk e ka lexuar

“Ai ka ndarë elemente të Asociacionit e pretendon që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mirëpo mua më është dukur se në elemente të caktuara të propozimit të Ramës përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës”.

Ky reagimi i Glauk Konjufcës pak orë pas takimit me Edi Ramën në zyrën e tij krijoi idenë se kryeministri shqiptar e kishte prezantuar kryeparlamentarin e Kosovës me draftin e propozuar prej disa javësh nga ai në lidhje me Asociacionin e 4 komunave veriore.

Konjufca në reagimin e tij mbajti një qëndrim të ashpër ndaj draftit të Ramës duke u shprehur se “është në kundërshtim me interesin e kombit shqiptar dhe popullit të Kosovës”.

Por pretendimet e Konjufcës se detajet e draftit ia bëri të qarta vetë kryeministri shqiptar, Rama i ka hedhur poshtë gjatë intervistës në “Klan Kosova”.

Rama tha se këtë dokument ai ia ka dërguar vetëm tre personave dhe ata janë kancelari gjerman Scholz, presidenti francez Macron dhe presidenti i KiE-së, Michel.

“Pashë, më treguan që Glauku kishte thënë se ka autonomi… nuk e di për çka e ka fjalën, sepse ne nuk folëm fare për draft të Asociacionit. Në dokumentin që ata se kanë lexuar! Këta s’e kanë lexuar! Ku e dinë këta? Apo më shohin mua në portret dhe më lexojnë si në filxhan? Drafti që unë kam përgatitur, është përgatitur nga ekspertë të nivelit më të lartë, dhe unë ia kam dërguar tre personave: kancelarit Scholz, presidentit Macron dhe presidentit Michel”, deklaroi Rama.

Më tej, kreu i qeverisë nënvizoi edhe njëherë si në deklaratat e mëparshme publike se draftin e statutit të Asociacionit e kanë shkruar ekspertë të nivelit të lartë.

Ai po ashtu pohoi sërish se nuk është konsultuar me askënd nga qeveria e Kosovës, pasi nuk është në rolin e ekspertit ligjor të Prishtinës zyrtare.

Madje për Ramën, zyrtarët e Kosovës duhet ta kishin përpiluar me kohë një draft të tillë duke i trokitur vetë në derë kancelarive europiane.

“Draft statuti nuk është konsultuar me asnjë sepse nuk ka pse të konsultohet. Unë nuk kam bërë studion ligjore të qeverisë së Kosovës. Ajo i ka ekspertët e vet, mundësitë e veta, mund ta kishte bërë me kohë dhe duhet ta kishte bërë me kohë, dhe jo vetëm që duhet ta kishte bërë me kohë, por duhet t’i rrinte te dera gjatë gjithë kohës partnerëve dhe aleatëve dhe t’u thoshte, mendojmë kështu, mendojmë ashtu, sepse është në interesin tonë.

Nuk ma ka kërkuar askush, e kam bërë vet, dhe është një kontribut që unë mendoj se është gjëja më e mirë nga aq sa kam lexuar e dëgjuar e sa kam parë nga të tjerët, mund të ketë edhe më të mira. Por, se si mund të thuhet se pse e bën draft-asociacionin, ç’i duhet atij, ç’punë ka ai… Nuk është dashur fare të konsultohet (qeveria e Kosovës) sepse ai është një draft për një marrëveshje mes dy palësh”, theksoi kryeministri shqiptar.

Advertisement