Connect with us

Politike

Rama: Nuk kemi institucion të aftë që të luftojë krimin

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se integrimi i Ballkanit i sjell Europës siguri dhe unitet. Kështu është shprehur kreu i Qeverisë, në një reportazh të kanalit francez “Metropole”, të titulluar “Hetime Ekskluzive”.

Në reportazhin e zbardhur nga ‘ATA’, kreu i Qeverisë diskutoi edhe për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Po ashtu, pas gati nëntë vitesh në Qeveri, Rama pranoi dhe një herë për median franceze se Shqipëria ende nuk ka institucione të afta për të luftuar korrupsionin dhe fenomenet e tjera.

Nuk është një proces i parashikueshëm, sepse është një politikë e përhershme në Union, politika e brendshme e vendeve. Ne duhet të ndërtojmë një shtet ligjor. Më kujtohet diçka që më ka thënë shumë kohë më parë Michel Rocard: Duhet të kuptosh se të negociosh me Bashkimin Evropian për t’u anëtarësuar në të është një proces i ngritjes së vendit tënd. Ne duhet të ndërtojmë një shtet ligjor. Imazhi që është krijuar për vendin tonë jashtë është një stereotip për Shqipërinë dhe shumë larg realitetit shqiptar. Nuk dua të them se nuk ka korrupsion, gjithsesi Shqipëria ka probleme me korrupsionin pikërisht sepse ne ende nuk kemi shtet ligjor dhe institucione të afta për të luftuar të gjitha këto fenomene.’- tha Rama.

I pyetur se çfarë Shqipëria do t’i sjellë Europës, Kryeministri nënvizoi se “Shqipëria është një nga vendet e Ballkanit. Mendoj se është më konkrete se çfarë mund t’i sjellë Ballkani Evropës. Më shumë siguri, jo vetëm në kuptimin ushtarak, por edhe në luftën kundër emigracionit të paligjshëm, drogës, më shumë siguri, më shumë unitet, sepse është paksa si stomaku i Evropës. Ndaj nuk është ide e mirë që ta kesh stomakun të shkëputur nga trupi, sepse mund të krijojë shumë probleme”.

Pyetjes nëse ky është mandati i fundit apo ka ndërmend të vazhdojë më tej, Rama iu përgjigj: “Të shohim, kam mësuar se jeta është ajo që ndodh ndërkohë që bëjmë plane të tjera. Ne duhet ta lëmë jetën të vendosë në vend që të pretendojmë të vendosim për jetën. Pak nga pak ka filluar një ndryshim lidhur me imazhin e Shqipërisë në Francë. Gjithmonë e më shumë francezë po vijnë në Shqipëri. Është vërtetë e mrekullueshme që kjo po ndryshon. Dhe për më tepër, kur njerëzit vijnë në Shqipëri ata mbeten pa mend, sepse Shqipëria që gjejnë është krejtësisht e ndryshme nga Shqipëria që imagjinonin duke lexuar këto artikuj stereotipe për krimin, drogën, mafien”.

I pyetur nga gazetari se si vizaton gjatë takimeve, Rama shprehet se “është syri dhe dora që punojnë së bashku ndërsa veshi dhe vëmendja janë tek ai që flet. Mund ta bëj këtë kur të tjerët flasin”.

Edhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano është shfaqur në këtë intervistë për median franceze, Metropole. Nano, i cili u shkarkua nga posti si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, thotë se në Shqipëri operacionet e policisë dekonspirohen.

Advertisement