Connect with us

Politike

Rama përplaset me Alibeajn dhe Sulën: O gjel deti i Peqini

Teksa Kryeministri Rama mbante sot fjalën në seancë plenare ishte i ashpër me opozitën dhe deklaratat e saj për Portin e Durrësit.

“Ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë. Ju nuk keni as fe, pa Atdhe, jeni pa din e pa iman, ja këta jeni ju.  Akuzoni për aferë një prej investitorëve më të mëdhenj! Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Jeni ca bedelë, që s’keni as sy për të parë e vesh për të dëgjuar”, tha Rama duke i thënë deputetit demokrat Dashnor Sula ‘Gjel deli i Peqinit’, teksa ky i fundit i thoshte ‘turp të kesh’.

Rama: Pusho gjel deti, pusho me atë fjalor se nuk je në festën e gjelave të detit të Peqinit. Pusho bedel. Si nuk ju vjen turp. Ngrini ulni dynjanë hajdutë

Sula: S’ke turp.

Rama: O gjel deti pusho. Nuk je në vendimin tënd këtu, je gabim je aksident komplet. Ah, mjerë Shqipëri për ty edhe ata si ti.

Marrëveshja për procedurë të përshpejtuar e Portit të Durrësit, Rama-opozitës: Investim që nuk është imagjinuar kurrë, ju hidhni baltë

Duke komentuar miratimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së Portit të Durrës për pjesën e jahteve dhe ballinës së portit, Rama akuzoi opozitës se e sulmon këtë projekt se ka marrë para ruse.

“Me ca kuroja çohesh këtu edhe hedh gjithë këtë baltë mbi një personalitet, të ekonomisë globale përfaqësues të një prej kompanive më të mëdha të botës që vjen në Shqipëri si një rezultat i një marrëdhënieje strategjike, prej së cilës po ndërtohen në Spitallë 2000 apartamente dhe bëhet një investim që nuk është bërë ndonjëherë dhe nuk është imagjinuar ndonjëherë, që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme turistike në Mesdhe.  Këtu u fut thjesht me procedurë të përshpejtuar një projektligj. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Kemi më shumë se 1 vbit që e negociojmë këtë kontratë”, tha Rama.

Debat në Kuvend për Portin e Durrësit/ Alibeaj: Kushton 2 mld e 100 mln euro, hiqni dorë nga miratimi me procedurë të përshpejtuar! Balla: Mos i shkoni mbrapa Berishës

Seanca plenare nisi me debate për Portin e Durrësit. Opozita kundërshtoi që të futej me procedurë të përshpejtuar projektligji për portin e Durrësit. Në fjalën e tij, Enkelejd Alibeaj u shpreh se kushton 2 miliard e 100 milionë euro dhe kërkoi të mos miratohej me shpejtësi në parlament pa u bërë transparencë për nenent. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se PD duhet të vendosë që të mos i shkojë mbrapa Sali Berishës.

Balla: Këtë këngë e ka nisur Saliu. Kremlini nuk ka asnjë interes për një port që të konkurrojë portet e tjera. Vlorën e kemi bërë. Atë që ka bërë PS për Vlorën, ju se imagjinoni dot. E mban mend si e latë Vlorën kur ikët nga pushteti. Hiqni dorë nga të shkuarti mbrapa Saliut symbyllurazi. Erdhi para shumë vitesh një sipërmarrës i rëndësishëm të cilit i thanë duhet t’i bësh kontratat te zyra avokatore e vajzës së Saliut. Tani çohu e më shpjego pse nuk mund të futet me procedurë të përshpejtuar.

Alibeaj: Po e vërtetë, mund të kërkoj projektligj me procedurë për përshpejtuar, por ka arsye më të madhe pse sillni ligjin për portin e Durrësit. Kjo i bie ta fusni në punime dhe pas 2 javësh ta përfundoni. Ta marrin vesh shqiptarët, doni të kaloni me shpejtësi të madhe projektligjin që ka 5 nene. Ky ligj kushton 2 miliard e 100 milionë euro.  400 milionë një nen dhe ju doni ta kaloni me procedurë të përshpejtuar kur sot diskutohet buxheti? Doni ta kaloni fshehurazi. Sot s’po bëni gjë veçse po prini shiritin e një afere ekonomike që shumë shpejt mund të kthehet në aferë korruptive. Askush nuk e dinë si janë bërë negociatat. Kjo nuk na bën bashkë se nuk është prona jonë, por e shqiptarëve. Duhet t’i tregoni çfarë po ndodh. Ku i lind e drejta të shesë diçka që nuk ka të drejtë ta bëjë? Parlamenti të mos e miratojë me shpejtësi këtë ligj. Qeveria të sjellë të gjithë dokumentet e 5 neneve që askush nuk i di dhe të tregohet pazari me Portin e Durrësit. Fakti që doni ta kaloni me shpejtësi, aty fshihet djalli.

Advertisement