Politike
Rama takoi Thaçin në Hagë/ Grenell e mbështet: Jack Smith, një turp…
Ish-Emisari për Misione të Posaçme i SHBA-së, Richard Grenell ka reaguar pas vizitës që pati sot kryeministri Edi Rama në Hagë, ku u takua dhe me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Përmes një mesazhi në X, Grenell thekson se Rama, përmes reagimit të tij, ‘shkatërroi’ rastin ligjor të Jack Smith kundër ish-Presidentit Thaçi në Hagë. Mes të tjerash Grenell thekson se kjo çështje i turpëron europainët që lejojnë vazhdimin e kësaj padrejtësie.
“Aleati i NATO-s dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shkatërron rastin ligjor të Jack Smith kundër ish-Presidentit Thaçi në Hagë – dhe i turpëron europianët që lejojnë vazhdimin e kësaj padrejtësie.
Jack Smith është një turp.
Rama ka të drejtë.”, shkruan Grenell, ndërsa i ka shpërndarë reagimin e Ramës që kishte bërë në X.
REAGIMI I RAMES:
Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë
E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”. Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë
Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor.