Politike
Rama tërhiqet: Çmimi i energjisë nuk do të rritet
TIRANË– Kryeministri Edi Rama është tërhequr nga rritja e çmimit të energjisë. Ky lajm pozitiv për konsumatorët familjarë, është dhënë ditën e sotme nga kreu i Qeverisë përmes një video mesazhi në Facebook. Pra, me këtë vendim, nuk do të hyjë në fuqi, fasha 800 Kw për konsumatorët familjarë.
‘NJË LAJM POZITIV dhe pse nuk do të hyjë në fuqi në tetor fasha 800Kw për konsumatorët familjarë.‘- lajmëron Rama.
Qeveria ka gati 1 muaj, që paralajmëron se në 1 tetor çdo konsumator familjar që do të konsumojë 850 kWh orë, fatura e energjisë elektrike që do të duhet të paguajë do të jetë 11740 lekë.
“800 kWh do faturohej me 9.5 lekë këh që jep një kosto 7600 lekë. 50 këh orë mbi konsumin 800 kë/h do llogaritej me koston 42 lekë dhe jep 2100 lekë. Plus TVSH mbi këto dy kosto, 1940 lekë, plus taksa e televizorit 100 lekë. Totali 11740 lekë”.- ishte vendimi i mëparshëm i marrë nga Qeveria, që tashmë është zhbërë.
Perditesim
Përballimi i krizës energjitike po ecën me hapa pozitivë. Kryeministri Edi Rama komunikoi me qytetarët lajmin e mirë se fasha 800 kwh për të gjithë konsumatorët familjarë të energjisë elektrike nuk do të hyjë në fuqi më 1 tetor.
Përafërisht 1 muaj pas vendimit të qeverisë për taksimin për çdo kilovat mbi 800 KwH që shpenzohet nga familjet, kreu i qeverisë u shpreh se ndërgjegjësimi i qytetarëve, uljes së kërkesës nga 17 mijë në 11 mijë, hyrja në fuqi e këtij vendimi është shtyrë. Si faktorë pozitiv ndikuan padyshim qasja pozitive e familjarëve, ulja e temperaturave, ulja e kërkesës nga 17 në 11 mijë por edhe prurjet e mira në Fierzë, aplikimi i kësaj fashe nuk do të hyjë në fuqi më 1 tetor.
‘Siç e kemi njoftuar, nga 1 tetori, d.m.th nga nesër është planifikuar hyrja në fuqi e fashës së konsumit 800 Kë mbi çmimin e mbrojtur nga qeveria për konsumatorët familjarë. Kjo fashë synon nga njëra anë mbrojtjen në vazhdimësi të 96% të familjeve, të cilat edhe gjatë dimrit nuk e kalojnë kufirin e 800 Kë. Nga ana tjetër, fasha synon që 4% e abonentëve, të cilët e tejkalojnë këtë kufi dhe konsumojnë afro 20% të të gjithë sasisë së energjisë, të paguajnë me çmimin real çdo kë mbi kufirin e 800 Kë.
Kjo nuk është një shpikje e jona, por një metodë e ndjekur nga plot vende për të nxitur kursimin e energjisë në këtë kohë kaq të zymtuar botërisht prej inflacionit të luftës, si dhe për të mos paguar nga taksat e të gjithëve, mbrojtjen e çmimit për konsumin e lartë të një pakice. Kursimi i energjisë është arma kryesore për ta kaluar këtë dimër pa kufizime energjie!
Këtë nuk e them unë, por e thotë logjika e kësaj krize globale të shkaktuar nga lufta mes dy prej furnitorëve më të rëndësishëm të botës me energji, grurë e jo vetëm, dhe e përsërisin të gjitha qeveritë e Europës.
Disa ndër ne këtu në Shqipëri thonë se vendi ynë s’ka lidhje me krizën energjetike, sepse ka ujë dhe ka hidrocentrale sa të duash, por as e para dhe as e dyta nuk janë të vërteta.
Burimet ujore varen nga reshjet, por edhe sikur ky vit të jetë ndryshe nga tre vitet e fundit rresht që kanë qenë vite rekordesh negative për sasinë e reshjeve, sistemi ynë energjetik, me hidrocentralet plot e përplot, plotëson vetëm 75% të nevojave për energji.
Ne siç e keni parë po ecim, dhe po ecim sipas planit që të arrijmë të plotësojmë 100% të nevojave me prodhim të brendshëm energjie brenda këtij 10 vjeçari, dhe për ta bërë Shqipërinë një vend energjitikisht sovran si dhe eksportues neto të energjisë.
Por pikërisht se hë për hë nuk i plotësojmë dot të tëra nevojat, duhet të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar, aty ku goditen të gjitha vendet e Europës nga çmimet çmendurake të energjisë në këtë kohë lufte.
Megjithatë unë dhe kjo qeveri, jemi këtu, jo vetëm për të garantuar mbrojtjen e çmimit të energjisë së konsumatorëve familjarë e të bizneseve dhe furnizimin e pandërprerë të tyre me energji, por edhe për të mos lënë asgjë pa bërë, që barra faktike dhe psikologjike e kësaj lufte, dhe e inflacionit që ajo ka sjellë, të lehtësohet sa më shumë.
Pa dashur t’ju marrë kohë e t’ju lodh me shumë fjalë, jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë. Në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800 kë, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 Kwh, sot është rreth 11, 000 Kwh. Në 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 Këh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë.
Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetë ditëshit të parë të tetorit.
Prandaj në këto kushte, bazuar sigurisht në një analizë shumë më të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, si dhe me angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që krijohet që ta lehtësojmë sadopak barrën faktike, por dhe atë psikologjike të kësaj situate, mbi të gjitha familjet, të cilën s’e ka krijuar qeveria, po qeveria e ka barrën ta menaxhojë sa më mirë të jetë e mundur, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 Kwh të mos hyjë në fuqi në muajin tetor.- tha Rama.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se situatën inflacioniste e sjell lufta dhe jo qeveria e cila ndodhet në krye të detyrës. Rama gjithashtu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të jenë sa më të kujdesshëm dhe të kursejnë energji.
‘E ndërkohë që të gjithë duhet të jenë sa më të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë, askush nuk duhet ta verë në dyshim se unë dhe kjo qeveri do të bëjmë më të mirën.
Inflacionin e ka sjellë lufta, nuk e ka sjellë qeveria, por qeveria do të jetë në krye të detyrës, që njësoj siç ia dolëm më së miri me tërmetin dhe me pandeminë, t’ia dalim edhe me këtë fatkeqësi të re që ka rënë mbi botën, e veçanërisht mbi Europën ku jetojmë.’- përfundoi Kryeministri.
Kujtojmë se vendimi i qeverisë për fashën 800 kwh u miratua nga ERE më 8 shtator. Elemente pozitivë ndikuan në skemën e parashikuar nga qeveria për përballimin e krizës gjë ndikoi në shtyrjen e taksimit të fashës 800 kilovat. Fasha ishte miratuar të hynte në fuqi prej datës 1 tetor.