Kosova
Ramabaja përforcon Gërvallën: BE ‘tigër prej letre’, po provon ta zhbëjë Kosovën
Analisti Sadri Ramabaja ka dal në mbrojtje fjalëve të Ministres së Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, e cila përdori shprehjen “tigër prej letre”, për të përshkruar “pazotësinë” e Bashkimit Evropian.
Sipas Ramabajës, BE-ja përveç që është “tigër prej letre”, synimi i vërtetë i saj është zhbërja e Kosovës.
“Por, nëse mbështetja amerikane për Beogradin ka të bëjë me interesat eksplicite amerikane të ndërlidhura me luftën në Ukrainë, mbështetja e BE-së është në funksion të revizionimit të historisë të fundshekulit të kaluar dhe përpjekjeve për ta zhbërë Republikën e Kosovës si entitet politik.” – deklaroi Ramabaja
Ai shkruan se Mbështetja e BE-së dhe para së gjithash mbështetja amerikane për Beogradin, ka të bëjë më shumë me interesat gjeopolitike se sa me të drejtën dhe etikën në politikë. Tolerimi ndaj Serbisë , “flet për disponimin e një lagjeje të mirë të shteteve të BE-së që janë kundër Republikës së Kosovës dhe krejt në përputhje me Serbinë!
Sipas Ramabajës, si BE-ja edhe SHBA-të, ndajnë përgjegjësinë dhe fajin historik për lejimin e rrjedhës së ngjarjeve në këtë drejtim, pasi po vazhdojnë të injorojnë në mënyrë të pandërgjegjshme interesat dhe paralajmërimet e Prishtinës.
“Ngjashëm si në rastin e Ukrainës, edhe në Kosovë, Uashingtoni duhet të marrë drejtimin për të imponuar paqen në rajon, natyrisht pa pretenduar që ta shpërblejë Serbinë me Veriun e Kosovës apo me aneksimin e mundshëm të Republikës Serbska e koncesioneve tjera shtesë në Malin e Zi” – ka shkruar ne reagimin e tij professor Ramabaja