Kosova
Ramush Haradinaj: S’kam faj që hyj në Pentagon më lehtë se sa në Parlamentin e Kosovës
Kandidati për kryeministër nga koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës, Intelektualëve, Konservatorëve dhe Idealit, Ramush Haradinaj, ka folur rreth vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar pritjen e ngrohtë që ka pranuar nga zyrtarë të strukturave shtetërore amerikane, përfshirë Departamentin e Mbrojtjes.
Gjatë një tubimi elektoral në Gjilan, tek ka thumbuar pushtetin aktual, ai ka nënvizuar qasjen së tij të lehtë në institucionet amerikane: “Çfarë faji kam unë që hyj në Pentagon më lehtë se sa në Parlamentin e Kosovës?! A kam faj që më presin katër vetë aty – njëri prej tyre është për Evropë, Azi dhe NATO… krejtësisht si të shkosh tek dajtë”.
Duke folur rreth deklaratës kontraverse të kandidates për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ai ka deklaruar se nuk është “vetëshpallur” gjeneral, por këtë gradë e ka marrë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës: “Unë nuk kam faj që UÇK-ja ime ma ka dhënë gradën gjeneral brigade me një yll – të dytin ma ka dhënë NATO!”.
E kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se qytetarët e Gjilanit janë lënë pas dore, derisa ka akuzuar qeverinë aktuale për mungesë projektesh në këtë komunë. “Nëse dikush ka arsye të ngrihet në këmbë për ta çuar në shtëpi këtë qeveri është rajoni i Anamoravës. Për katër vite jeni poshtëruar nga kjo qeveri – asnjë projekt, asnjë punë”.
“Qe ku i keni veprat që i ka nisë Ramushi për Anamoravën. Ky njeri e ka nisë autostradën e Gjilanit. Çdo gjë që e ka bërë sa ka qenë kryeministër, krejt me i ba bashkë, nuk kanë ba sa ka ba Ramushi për Anamoravën… Jo rastësisht, kandidati ynë dje ka ardhë prej Amerikës. Na duhet një kryeministër që kryen punë”.
Ndryshe, lista e prioriteteve të koalicionit “Për Kosovën Fituese” nis me premtimin për anëtarësimin e Kosovës direkt në aleancën ushtarake të NATO-s, krahas zotimit për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.