Connect with us

Aktualitet

Raporti i KE-së për KLSH-në, vlerëson rolin në luftën kundër korrupsionit: Por, koordinimi ndërinstitucional mbetet i dobët

Komisioni Europian ka vlerësuar lart rolin aktiv dhe të qëndrueshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Në raportin më të fundit të KE-së për sundimin e ligjit për vitin 2025 për Shqipërinë, KLSH përmendet si një nga institucionet me performancë konkrete dhe bashkëpunim efektiv me organet e drejtësisë. Vetëm gjatë vitit 2024, KLSH ka referuar 13 raste me elementë penalë në prokurori dhe ka kërkuar hetime për 35 të tjera.

Ndryshe nga ky shembull pozitiv, Komisioni kritikon ashpër institucionet e tjera që refuzojnë të bashkëpunojnë, duke sabotuar në heshtje përpjekjet për transparencë dhe ndëshkueshmëri. Raporti thekson se koordinimi ndërinstitucional mbetet i dobët dhe numri i referimeve nga administrata publike ka rënë ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, KE nënvizon se KLSH ka krijuar një praktikë solide në adresimin e shkeljeve, duke i kaluar çështjet me prioritet të lartë organeve hetimore. Por ndërsa KLSH tregon gatishmëri dhe integritet, institucionet e tjera nuk kryejnë vlerësime të rrezikut dhe shpesh neglizhojnë zbatimin e masave parandaluese. në këtë kontekst Brukseli bën thirrje për bashkëpunim të detyruar institucional dhe rikthimin e përgjegjshmërisë në sistemin publik. Pra ky është një mesazh i qartë, ku BE kërkon që puna e KLSH-së të mos izolohet apo pengohet, por të mbështetet si një shtyllë kyçe në betejën kundër korrupsionit.

Pjesë nga raporti i KE:

Megjithëse janë ndërmarrë disa hapa organizativë, kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit mbetet kryesisht joefektiv dhe bashkëpunimi me organet ligjzbatuese ka ende nevojë për forcim të mëtejshëm. Drejtoria e Përgjithshme Kundër Korrupsionit (DPKK) u transferua nga Ministria e Drejtësisë tek Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në qershor 2024.

DPKK iu nënshtrua një riorganizimi të kapaciteteve që merren me hetimet administrative dhe vlerësimin e riskut, me qëllim për t’i dhënë më shumë theks parandalimit, edhe pse ajo mbetet gjithashtu përgjegjëse për hetimet administrative të centralizuara. Mungesat vazhdojnë në lidhje me kapacitetet e DPKK-së për të mbikëqyrur në mënyrë efektive zbatimin dhe vlerësimin e masave parandaluese, si dhe për të kryer vlerësime të thelluara të riskut. Janë bërë disa përpjekje, veçanërisht në fusha me risk të lartë për korrupsion, por zbatimi efektiv mbetet i kufizuar. Funksionimi i plotë ende mbetet për t’u dëshmuar. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit dhe strukturave përkatëse ligjzbatuese vazhdon të jetë i dobët, ndërsa numri i referimeve ka pësuar një rënie të mëtejshme.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka një histori më të fortë sa i përket referimeve gjyqësore dhe bashkëpunimit me organet e ndjekjes penale. Në vitin 2024, KLSH referoi 13 raste me elementë penalë për ndjekje penale. Përveç kësaj, 35 referime për çështje që kërkojnë hetime të mëtejshme janë ndarë me organet e prokurorisë me kërkesë të tyre.

Advertisement