Aktualitet
‘Raporti mes pushtetit dhe medias…’/ Shqipëria e fundit për lirinë e medias
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) me anëtarë në Francë, Zvicër, Itali, SHBA dhe Kanada ka realizuar një intervistë ekskluzive me Reporterët pa Kufij (RSF) me seli në Paris për një shpjegim të detajuar të notës që i është dhënë Shqipërisë në Raportin e fundit mbi lirinë e shtypit në botë.
Indeksi vjetor i lirisë së mediave e lë gjithmonë Shqipërinë në vend të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe në vendin e parafundit në kontinentin Europian.
Sa i përket renditjes, një nga arsyet renditet dhuna ndaj gazetarëve
Reporterët pa kufij ka deklaruar se për të përmirësuar raportin mes pushtetit dhe medias, është i nevojshëm një rotacion politik.
Pjesë nga intervista:
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor a keni një përgjigje pse Shqipëria është ende në vendin e fundit në këtë pjesë të Evropës? Çfarë shkon më keq në Shqipëri se gjetiu ? Kjo pyetje na intrigon edhe më shumë po të krahasojmë në raportin tuaj Shqipërinë me Bosnjën. Ky vend paraqitet më mirë se Shqipëria në fushën e lirisë së shtypit, ndërkohë që të gjithë biem dakord se Bosnja është vendi me situatën poltike më problematike në Ballkanin Perendimor. Si mund ta shpjegoni pra këtë situatë të veçantë në Shqipëri në renditjen tuaj si vendi më mediokër ne Rajon, ndonëse në Shqipëri ndodhi një alternancë para dhjetë vjetësh me politikanë të rinj të supozuar me botekuptim më të hapur. « Moderniteti » i kësaj klase të re politike nuk është reflektuar asnjëherë në indeksin tuaj të lirisë së shtypit po të kihet parasysh se Shqipëria vegjeton gjithmonë në vend të fundit në Rajon. Si ta shpjegojmë këtë ? ….
Reporterët pa Kufij (RSF) : Mendoj se ka një shqetësim të veçantë për Shqipërinë që lidhet me nivelin e dhunës. Me këtë nënkuptoj sulmet fizike ndaj gazetarëve. Ka relativisht shumë sulme fizike ndaj gazetarëve në Shqipëri. Se dyti, mendoj, se ajo që e bën të veçantë për keq Shqipërinë, është ajo që thashë më sipër, konflikti i interesit të pronarëve të mediave lidhur me politikën. Ky është një problem që ekziston sigurisht dhe në vende të tjera. Por në Shqipëri proporcionalisht ky fenomen është i veçantë për nga përmasat e mëdha që ka marrë. Shqipëria është një vend ku gazetarët janë nën presion politik, prandaj dhe jua ekspozova më sipër se thelbi i notës, është kriteri politik. Pikërisht kjo notë e përkeqëson vendin që zë Shqipëria në raport. Bosnja është një vend shumë i ndërlikuar, ku liria e shtypit nuk po ecën mirë. Bosnja mund ta ketë notën më të lartë se Shqipëria, por në fakt, Bosnja është së bashku me Sërbinë një nga dy vendet në Ballkanin Perëndimor, ku nota e performancës këtë vit është përkeqësuar në krahasim me vitin e kaluar. Nëse Bosnja ka fituar disa vende në indeks, kjo ndodh njësoj si në rastin e Shqipërisë. Bosnja përfiton nga zbritja në renditje e disa vendeve të tjera.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Kur lexojmë raportin tuaj për Ballkanin vërejmë forma ngjashmërie mes Bullgarisë dhe Shqipërisë…
Reporterët pa Kufij (RSF): Ekzakt, ka mjaft ngjashmëri. Kjo lidhet me problemin e oligarkisë në media në Bullgari. Por, si në rastin e Malit të Zi, ajo që e bën Bullgarinë të fitojë pikë është përmirësimi politik në terma afatgjatë. Për pjesën më të madhe të vitit 2022 ishte qeveria Petkov ajo që ishte në pushtet dhe e uli presionin që pësonin mediat nga qeveria e mëparshme e Borisovit, që ishte absolutisht shkatërruese për lirinë e shtypit. Kjo ishte një nga arsyet që bënte që Bullgaria të radhitej e fundit në indeksin e lirisë së shtypit në zonën europiane.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) : Pra, rotacioni politik mund të shërbejë si terapi për të përmirësuar raportin mes pushtetit dhe medias ?
Reporterët pa Kufij (RSF): Po, mjaftueshëm.