Connect with us

Kosova

Raportuesi gjerman për Ballkanin, i jep shuplakë BE-së

Raportuesi gjerman për Ballkanin Perëndimor në Komisionin e Politikës së Jashtme të Bundestagut, Thomas Hacker ka deklaruar se protestat kundër rezultateve të zgjedhjeve në Beograd, e bënë të qartë se për BE-në, më e rëndësishme është një Serbi me stabilitet, sesa një Serbi demokratike. Sipas tij, pavarësisht interesave të saj, Unioni Europian duhet të kishte dënuar dhunën e ushtruar nga shteti ndaj protestuesve.

“Tani është gjithnjë e më e qartë se stabiliteti është më i rëndësishëm për Bashkimin Evropian sesa një Serbi demokratike. Dhuna ndaj protestuesve është e papranueshme dhe duhet dënuar me termat më të ashpër të mundshëm” –  tha politikani gjerman

Ai gjithashtu paralajmëron se është e rrezikshme për besueshmërinë e BE-së të qëndrojë pas ‘status quo-së’ aktuale, ku në këmbim të stabilitetit lejon më pak demokraci në Serbi. Sipas tij, heshtja e Bashkimit Evropian lidhur me këtë rast, është një qasje e gabuar dhe vjen me shumë pasoja të mëdha nga pas.

“Stabiliteti i pretenduar ka çmimin e vet, por në rastin e Serbisë, ai vjen në kurriz të lirisë së medias, parimeve bazë të shtetit ligjor dhe kushtetutës demokratike të vendit. Nëse Aleksandër Vuçiç vazhdon të konsiderohet garant i stabilitetit dhe rendit, zhgënjimi për shkak të hezitimit të BE-së do të vazhdojë të përhapet. Shpresat për të ardhmen e Serbisë në BE janë në rrezik të shuhen, siç ka ndodhur tashmë në rastin e Maqedonisë së Veriut. Nuk është vonë që Unioni të ndryshojë urgjentisht kursin e tij” – potencoi raportuesi per Ballkanin në parlamentin gjerman.

Advertisement