Connect with us

Kosova

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian: Duhet të gjejmë mënyra që pesë vendet e BE-së ta njohin Kosovën si shtet!

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras është shprehur se nuk mendon se është gjëja e duhur që edhe pas 25 vjetësh të ketë ende vende të cilat nuk e njohin Kosovën. Sipas tij kjo është diçka me të cilën duhet të përballen. Terras ka thënë se bashkë me reportuesin për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, do të nisin dialogun me vendet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë.

“Kjo është diçka tjetër për të cilën mendoj se Komisioni dhe Kaja Kallas duhet të punojnë. Nga ana jonë, ne jemi duke e konsideruar mundësinë, bashkë me kolegun tim që raporton për Serbinë (Tonino Picula), ndoshta edhe me ca të tjerë, që duhet të nisim dialogun me këto vende dhe poashtu të gjejmë mënyra se si këto vende mos-njohëse të nisin procesin për ta njohur Kosovën si shtet”, tha Terras për Klan Kosova.

Terras nuk është shfaqur optimist se takimet për këtë çështje në PE mund ta ndryshojnë situatën gjeopolitike në Evropë.

“Nëse nuk bëjmë asgjë atëherë është e sigurt se nuk do të ndodhë asgjë, së paku duhet të përpiqemi të kuptojmë se cilat janë problemet për këtë, cilat janë sfidat. Nuk jam aq optimist se takimet tona do ta ndryshojnë në tërësi situatën gjeopolitike në Evropë, jo, por mua më takon të përpiqem ta bëj më të mirën që mundem t’i bind vendet që Kosova është në rrugë drejt Bashkimit Evropian dhe ne duhet ta përkrahim atë. Ne kemi folur për shumë gjëra me z. Picula”, shtoi ai.

Advertisement