Kronike
Rasti Dehari/ PDK: Prokuroria të intervistojë Kryeministrin Kurti dhe Ministren Haxhiu

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda në një konferencë për media ka kërkuar të zbardhet rasti i zhdukjes së mostrave të Rastit Dehari nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Gruda i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të intervistoj Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas daljes në publik të fakteve të reja dhe ndërhyrjeve të Qeverisë në këtë rast. “Rasti Dehari, është një rast tragjik, më të cilin nuk mund të vazhdohet të bëhet politikë, prandaj kërkojmë nga prokuroria e shtetit që të intervistoj Kryeministrin Kurti dhe Ministren Haxhiu për të zbardhur përfundimisht se kush dhe si i zhduku mostrat e rastit Dehari, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e plotë e këtij rasti tragjik. Prandaj, kërkojmë drejtësi për Rastin Dehari”, tha ai. Sipas Grudës, Kryeministri Kurti dhe Ministrja Haxhiu duhet ta sqarojnë opinionin publik se pse po heshtin karshi akuzave që i përfshijnë në mënyrë direkte ata në krimin e zhdukjes së mostrave të Rastit Dehari.

