Connect with us

Politike

Reagimet e para/ Tre kryebashkiakë i dalin kundër Ramës: Nuk zbatojmë urdhrat për shkarkime

Kryeministri Edi Rama mblodhi në Durrës kryetarët e bashkive të vendit, të cilëve iu vendosi ultimatum që deri ditën e hënë të kenë shkarkuar të gjithë kryetarët e njësive administrative dhe nënkryetarët e bashkive.

Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, kryetarit i Bashkise së Mirditës, Albert Melyshi, dhe ai i Himarës, Vangjel Tavo, paralajmërojnë se nuk do të zbatojnë urdhrin e Ramës.

Fillimisht kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo u shpreh se ai nuk do t’i shkarkojë nënkryetarët siç kërkoi Rama, pasi kanë shumë pak kohë në detyrë.

“Në varësi të performancës, unë jam kryetar i ri. Kuptohet që janë akoma në provë, plus që nënkryetarët e mi janë të rinj”, tha Tavo pas takimit.

Edhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja deklaroi se nuk do t’i bindet urdhrave të Ramës, pasi sipas tij, ultimatumi i kryeministrit vlen vetëm për udhëheqësit socialistë.

“Absolutisht jo. Perfromanca është gjë tjetër. Jo nuk do t’i shkarkoj për shkak të kryeministrit, por për shkak të sezonit turistik apo tjetër… Absolutisht jo. Nuk isha këtu politikisht, isha si kryetar bashkie, kështu që… Ai e ka me të vetët, nuk e ka me të mitë”, tha Qosja.

I pyetur në vijim nëse do ta zbatojë kërkesën, në rast se kryeministri ia drejton edhe atij, Qosja tha: “Jo absolutisht. Nuk do ta dëgjoj kryeministrin për këtë vendim”.

“Duke e bërë jemi”, u përgjigj Qosja, kur u pyet nëse ka bërë një analizë të punës së drejtorive nën varësi të bashkisë që ai drejton.

Melyshi gjithashtu thotë se nuk do të zbatojë urdhrin politik të Ramës, ndërsa thekson se pushteti vendor është i pavarur.

“Bashkia Mirditë bazohet në bazë të performancës së punës së Administratorit, jo në urdhëra politik”,- ka deklaruar Melyshi

Advertisement