Kosova
Reagon Dogana e Prishtinës: Nuk nisëm mbetje të rrezikshme në Kinë
Kosova nuk pranon të ketë dërguar drejt Kinës një ngarkesë me 100 tonë mbetje të rrezikshme, të cilat ishin nisur nga Porti i Durrësit.
Dogana Shqiptare tha se ato ishin tregëtuar nga Kosova, por dogana në Prishtinë është shprehur zyrtarisht se ka ngarkuar vetëm koncetrat zinku e jo mbetje toksike.
Ndërsa thekson se është e vështirë të përcaktohet saktësia e rrjedhës së ngjarjeve, dogana e Kosovës nënvizon se nuk ka eksport të mbetjeve të rrezikshme.
“Dogana e Shqipërisë i ka referuar këto mallra si koncentrat zinku, të eksportuara nga një kompani e regjistruar në Kosovë drejt një kompanie zvicerane. Duke qenë se Dogana e Kosovës nuk ka qasje në ndonjë raport zyrtar është e vështirë të përcaktojmë saktësinë e rrjedhës së ngjarjeve, përderisa nga kërkimi në të dhënat tona të eksportit, kemi konstatuar se:
– Nuk ka eksport të mbeturinave të rrezikshme që i përgjigjen dërgesave të natyrës së atyre të raportuara në media.
– Janë identifikuar eksporte qe referohen në deklaratën për media nga Dogana e Shqipërisë, dhe produkti në fjalë, siç edhe është theksuar nga Dogana e Shqipërisë është koncentrat zinku dhe jo mbetje. Për këtë produkt pronari i subjektit eksportues ka ofruar test raportet nga kompania e mirënjohur e testimeve te industrisë SGS”, thuhet nga Dogana e Kosovës.
Nga ky institucion thuhet se koncentratet e zinkut janë të nxjerra nga miniera e Trepçës dhe janë eksportuar në vazhdimësi.
“Eksporte të ngjashme bëhen vazhdimisht nga industria e Republikës së Kosovës dhe nuk ka pasur ndonjëherë pretendime për klasifikim të këtyre produkteve si mbetje të rrezikshme”, shton dogana.
Dogana e Kosovës thotë ka hapur një hetim të gjerë mbi këtë çështje ndërkohë që hetimet në Shqipëri nuk përfshijnë vetëm ngarkesën që po kthehet nga Kina, por edhe një tjetër, që u prodhua nga Metalurgjiku i Elbasanit e po kthehet pas nga Tajlanda.