Lifestyle
Reçel me Petale Trëndafili, delikatesë unike
Trëndafilat janë ndër lulet më të bukura që përdoren jo vetëm për dekorim por edhe në kuzhinë.
Me petalet e shumë prej trëndafilave që çelin mbi tokë, shumë gatime përfitojnë një shije më të plotë dhe unike.
Aroma e trëndafilave nuk ka të dytë.
Atë mund ta dallojmë symbyllur në mesin e shumë aromave të tjera.
Paraqitja e trëndafilit është po aq e mrekullueshme sa shija e tij, ndaj me plot të drejtë, trëndafili gjen një vend të merituar në kuzhinë.
Në mesin e ëmbëlsirave që mund të gatuajë një amvisë, gjendet edhe reçeli i petaleve të trëndafilit i cili është një delikatesë mjaft joshëse për shqisat, recetën e të cilit AgroWeb.org e sjell më poshtë.
Përgatitja e Reçelit Unik me Petale Trëndafilash
Përbërësit
- 300 gramë petale trëndafili të bardhë ose të kuq
- 2 filxhanë çaj sheqer
- 4 gota e gjysmë me ujë
- Lëngu i dy limonëve
Përgatitja
Lajini petalet me ujë të bollshëm.
Në fund të secilës petale gjendet një shirit i bardhë që duhet prerë.
Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon të hidhni petalet në një enë dhe t’i spërkatni bollshëm me gjysmën e sheqerit.
Fërkojini me duar dhe më pas mbulojeni enën me një mbështjellëse plastike.
Enën vendoseni në një vend të freskët ose në frigorifer dhe mbajeni gjatë gjithë natës.
Sheqerin e mbetur hidheni në një tigan bashkë me ujin dhe lëngun e limonit.
Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon të shtoni edhe farat e limonëve të cilët ofrojnë pektinë, një substancë e cila ofron dendësinë e duhur të reçelit. (Farat e limonit do t’i largoni pasi të jetë përgatitur reçeli dhe para se ta hidhni në kavanoz).
Më pas, shtoni petalet e trëndafilit dhe lërini të ziejnë për 20 minuta në zjarr të ngadaltë.
Rriteni temperaturën dhe lëreni reçelin të ziejë për 5 minuta të tjera deri sa lëngu të trashet.
Hidheni reçelin në një kavanoz të pastër dhe të sterilizuar, mbylleni me kapak dhe vendoseni në një vend të freskët e të errët.