Connect with us

Shkrime

Red Varaku: Pastrim, ndëshkim, reformim

Nuk ka më asnjë dyshim që elita sunduese e tranzicionit nuk ka më asnjë legjitimitet dhe është kthyer në problemin më të madh të shoqërisë shqiptare .

Me rrotacionin e dakortësuar në 2013 ,duke materializuar kështu “paktin e zi” të 2008 midis Ramës dhe Berishës dhe duke korruptuar një nga zyrtarët më të lartë të SHBA-ve për të asgjësuar politikisht liderin e opozitës , ajo ia ka dalë të deformojë dhe kompromentojë vullnetin e opozitës, duke asgjësuar kështu demokracinë dhe pluralizmin politik dhe duke prodhuar krizën më të rëndë politike të këtyre 30 viteve.

Me reforma të dështuara ,të bëra enkas për të zhvatur miliarda dhe për të pasuruar një grusht oligarkësh, përmes të cilëve Rama shpërblen dhe opozitën e drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, vendi po zhytet drejt një krize shumë të rëndë ekonomike.

Me gjysmën e zyrtarëve të saj kryesorë nëpër burgje për korrupsion dhe me bashkëpunimin e provuar me grupet kriminale më mizore të vendit në këmbim të dhunimit dhe shantazhimit të qytetarëve, është e qartë që nuk kemi të bëjmë më me një shtet demokratik, por kemi të bëjmë thjesht me një shtet mafioz që i shërben vetëm interesave të oligarkisë politike, ekonomike dhe kriminale të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar.

Kjo oligarki ka kapur shtetin, kështu që në vend që të ishte një instrument në duart e popullit në mbrojtje të qytetarëve dhe interesit publik, ky shtet është kthyer në instrumentin kryesor që kjo oligarki përdor për të dhunuar dhe plaçkitur pasurinë e shqiptarëve.

Me pak fjalë asgjësimi i opozitës, për shkak se shumica e saj sot është është sot defacto në shërbim të oligarkisë, humbja e kontrollit mbi përfaqësuesit politikë, që nisi me “paktin e zi” të 2008, keqpërdorimi i institucioneve të cilat po përdoren si kamzhik mbi qytetarët e thjeshtë, bashkëpunimi me grupet kriminale, vjedhja e zgjedhjeve dhe reformat e bëra enkas që një grusht oligarkësh të përfitojë miliarda në kurriz të popullit më të varfër të Europës që më pas t’i përdorin për të fuqizuar sundimin e tyre e ka futur sistemin në krizë të thellë.

Nga kjo krizë nuk dilet vetëm se në tre mënyra, dy prej të cilave janë thjesht të pamundura.

E para, përmes vetëpastrimit dhe reformimit që është edhe rruga që po sforcohet të prodhojë Rama, por që është i pamundur jo vetëm për shkak të kalbëzimit të thellë të kësaj mazhorance për shkak të korrupsionit, por sepse vetë Rama është arkitekti i këtij deformimi dhe dhe burimi i kësaj krize ku është kapur në përpjekje kriminale për të neutralizuar opozitën qoftë përmes “paktit të zi” të 2008 dhe marrëveshjes së 2013 me Berishën dhe Metën, qoftë përmes aferës Mcgonical me goditjen ndaj Lulzim Bashës.

E dyta, përmes të ashtuquajturit revolucion demokratik që është rruga që premton Berisha -Meta, pra përmbysjes me revolucion demokratik të këtij establishmenti të korruptuar, që është një rrugë tashmë jo vetëm e delegjitimuar ,nisur nga aktorët e diskretituar që e udhëheqin, por edhe e dështuar nisur nga produkti i zgjedhjeve lokale të 14 majit, ku qytetarët refuzuan masivisht në të gjitha bashkitë nga jugu në veri Berishën dhe Metën.

Ajo që mbetet si e vetmja zgjidhje është rruga e pastrimit nga korrupsioni, ndëshkimit të të korruptuarve dhe më pas reformimit të sistemit.

Dy të parat, pastrimi dhe ndëshkimi realizohen vetëm mekanikisht përmes drejtësisë, gjë që duket se sa ka filluar të japë produktet e para, sepse po jepen sinjale serioze se reforma ka nisur të godasë kancerin që ka marr peng sistemin tonë politik, korrupsionin.

Ndërkohë, reformimi aq shumë i domosdoshëm , realizohet vetëm përmes një qeverie të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme tek të cilat mund të shkohet vetëm përmes një qeverie besimi antikorrupsion, pa Edi Ramën kryeministër.

Advertisement