Connect with us

DOSSIER

Refleksionet e Ngjelës: Të parës ia varën fletë-rrufenë, Vera Bekteshit, sa nuk i thoshin femër e përdalë

Erëra të mbara po frynin në Çekosllovaki. Moti premtonte pranverë. Alexander Dubcek, i ardhur në pushtet, po ndërmerrte reforma që premtonin demokratizimin e vendit. Fatkeqësisht, kjo periudhë shprese zgjati veçse disa muaj, nga janari në 20 gusht të vitit 1968, kur vendi do të pushtohej nga Bashkimi Sovjetik dhe e ashtuquajtura “pranvera e Pragës” do të merrte fund. Por çfarë ndodhte ndërkohë në Shqipëri? Avokat Spartak Ngjela e përshkruan këtë periudhë në librin e tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, botuar nga “UET Press”, vëllimi i parë, Tiranë 2011.

Nga Spartak Ngjela

(Vijon nga numri i kaluar)

Këtë gjë, më parë, e kishte ndërmarrë Lenini, kur u shkëput nga Internacionalja e Dytë Socialiste dhe krijoi Kominternin, i cili s’ishte gjë tjetër, veçse një Internacionale e Tretë. Por edhe Trocki, pasi u dëbua nga Rusia, krijoi internacionalen e tij komuniste, për t’iu kundërvënë Kominternit dhe partisë së Stalinit, por Hoxha, kam përshtypjen, se nuk e dinte fare këtë fakt.

Të gjithëve ne, kjo vepër e re e Hoxhës, na u duk si një marrëzi shqiptare, kurse vetë Enver Hoxha, na ngjasonte me një mashtrues që tallej me viktimat e tij. Në “Broduej”, talleshin hapur me të gjitha lajmet e “Radio Tiranës” e të gazetës “Zëri i Popullit”, kur bëhej fjalë për krijimin dhe aktivitetin e partive marksiste-leniniste në Perëndim.

Befas, madje, filluan të dilnin e të propagandoheshin si figura, edhe emra, si; Zhak Gripa, kryetari i Partisë Marksiste-Leniniste në Belgjikë, Reixh Bërxh në Angli, Uillkoks në Australi, Frans Strobël në Austri, Fosko di Nuci, në Itali e turlifarëlloj emrash; të gjithë aventurierë që vinin këtu të merrnin ndonjë dollar, por Hoxhës aq i bënte, sepse i duheshin për qëllimin që folëm. Enver Hoxhës, perandoria i duhej mbi të gjitha, për të ushtruar propagandën e tij në popull, e sidomos me ata të rinjtë që kishte marrë nga puna e rëndomtë e po i ngjiste në udhëheqjen e Partisë dhe të cilët ende nuk dinin përse kishin ardhur, pse i kishin thirrur dhe çfarë duhej të bënin.

Ndërkohë, ne që jetonim pranë oborrit të Enver Hoxhës, konstatuam saktë se e gjithë garda e vjetër që jetonte përreth tij nuk ishte fare entuziaste për partitë marksiste- leniniste të Perëndimit. Nuk bindeshin dhe kishte ndodhur e kundërta: në vend që ta merrnin këtë si një shenjë të “madhështisë” së Enver Hoxhës si doktrinar, e kishin marrë si shenjë të dobësisë së tij për një vepër të dështuar. Këtë e vura re edhe tek im atë. Kiçoja nuk kishte fare qejf të fliste për to dhe unë e kuptoja se i dukeshin qesharake.

Këtë e pashë vetë, sidomos kur nuk kishte qejf fare të rrinte me belgun Zhak Gripa, ndërsa ai pushonte familjarisht, si edhe ne, në Dhërmi të Himarës. E shihja që nuk e përfillte fare dhe i shmangej takimit me të. “Ç’është ky? Çfarë përfaqëson”, – e pyeti Vera Kiçon, për Zhak Gripën, një natë kur ishim duke luajtur me letra, por Kiçoja iu shmang në fillim, duke ngritur vetëm supet. Ndërsa Vera nuk ndaloi dhe mandej i tha: “Ti ke ndenjur shpesh me të, prandaj dhe të pyes”. Atëherë, Kiçoja u përgjigj duke psherëtirë: “E ç’më pyet, moj Verë, nuk e ke parë që nuk di asgjë, ai nuk di, as sa anëtarë ka partia e tij”.

Kjo ishte e gjitha, pra, brezi i Kiços, nuk ia pranonte fare Hoxhës këtë nismë, por ai as që çante kokën, sepse kishte krijuar grupin e Ramiz Alisë dhe paguante e paguante për të krijuar një si Internacionale Komuniste, por pa e quajtur të tillë. Kjo pra ishte perandoria e tij qesharake, por ai e donte. Madje, nëse nuk ka qenë një lojë demagogjike, dhe e ka besuar vërtet, atëherë sëmundja e tij, ka qenë tepër e rëndë.

Kam përshtypjen se edhe mund të jetë bindur dikur, se e ka formuar më në fund perandorinë e tij, sepse, që nga fundi i viteve ’60-të e, deri në vitin 1976, ai sillej në media si një perandor i revolucionit, si lider i të gjitha lëvizjeve progresiste në botë dhe si udhëheqës shpirtëror, i rreth dyzet partive marksiste-leniniste që i mbante vetë me para. Kurse hordhitë që dolën nga 6 shkurti i vitit 1967, bërtisnin e sokëllinin, për sukseset e partive marksiste–leniniste dhe për dominimin e botës mbarë, nga Enver Hoxha.

Ne nuk arrinim të kuptonim nëse këta njerëz, i besonin apo jo ato që thoshin, por edhe pse qeshnim me të madhe me ta, prapë ishim të mërzitur. Ne e kuptonim atëherë, se do të vinte një ditë që e gjithë jeta politike, morale, ekonomike e shoqërore në përgjithësi, do të binte në duart e tyre. “O Zot!, – thoshte shpesh e më shpesh, një shoku im në ato kohëra. – Çfarë të kemi bërë, që po na torturon për të na shtypur, me anë të injorancës”?!

II

Propaganda ishte e ethshme, por “mjerë ne ku na kishte rënë të jetonim”. Kjo ishte shprehja që përsërisja prore me vete, tek lexoja gjithçka që më binte në dorë për diktaturat dhe totalitarizmin, duke përfshire “Stalin” e Isak Dojçerit, disa monografi të Revolucionit Francez, e sidomos të Edmund Burkes e të Thomas Karlajlit. Kjo e Karlajlit, më kishte mahnitur, por edhe sistemi stalinian i marrjes dhe i mbajtjes së pushtetit, sipas Isak Dojçerit, po ashtu.

E ndieja se ishte krejt e njëjta gjë, paçka se në fund të fundit, po jetoja në një kohë pas Revolucionit Francez, kur gjithkush mendonte se revolucioni, ishte një proces në vazhdim, kurse normaliteti ishte reaksionar. Ishte një kohë e turbullt, kur askush nuk e mendonte dot qartë, se çfarë do të sillte e ardhmja. Në fakt, gjysmës së botës, i mungonin burrat e shtetit dhe prandaj ajo drejtohej dhe sundohej, nga “revolucionarët”.

Çdo grusht shteti, sillte një revolucion dhe secili kolonel, mëtonte drejt pushtetit me forcë. Në Shqipëri, ndërkaq, ishte krijuar befas një ideologji e re, pa formë, e bërë sipas vullnetit të një njeriu, i cili nuk kishte më asnjë lloj përgjegjësie dhe i duhej që të fillonte një betejë, për të përmbysur gjithçka.

Hoxha e ndiente se në Kinë, kishin ardhur ato forca që i duheshin dhe ai mund t’u merrte gjithçka, çdo gjë që i duhej, për të konsoliduar pushtetin e vet ekonomik.

Por, kishte edhe diçka tjetër: ai nuk e dinte çfarë ishte ekonomia, nuk dinte se çfarë ishte tregu dhe eficienca ekonomike, nuk e dinte se çfarë ishte prodhimi, prandaj mendoi se, me një “frymë revolucionare”, dhe me autarki, do të përjetësohej.

Marrëzia, në fakt, ushqehet e kalon në hapësira utopike nga mosnjohja e gjërave dhe kjo ishte natyra e pushtetit “revolucionar”, që po strukturohej në Shqipëri. Kalonin muajt dhe unë e ndieja që përballja ime me atë shtet, do të ishte e pashmangshme.

S’kisha rrugë tjetër, sepse, ndonëse vetëm njëzet vjeç, unë nuk mund të përfundoja dot te kopetë e “rinocerontëve”, të cilëve, që prej dhjetë muajsh, po u dëgjoja “trokun”, teksa përshkonin me zhurmë rrugët e Tiranës e, të gjithë Shqipërisë.

Kurse “Brodueji”, ziente nga barcaletat dhe nga humori kundër Enver Hoxhës. Por edhe “rinocerontët”, e kishin shtuar së tepërmi luftën e tyre me anë të fletë-rrufeve. Ato i gjeje kudo, në çdo institucion, e sidomos në qendër të Tiranës e, nëpër korpuset kryesore të Universitetit të Tiranës.

Universiteti i Tiranës atëherë, kishte katër korpuse: njëri ishte në kodër, në “Rrugën e Elbasanit” dhe ishte Fakulteti i Gjeologjisë; poshtë tij, po në të njëjtën rrugë, ishte Fakulteti Historisë dhe i Filologjisë; tek sheshi “Nënë Tereza”, ishin fakultetet e Inxhinierisë, Ekonomisë dhe Jurisprudencës dhe në fund të Bulevardit të madh, afër Stacionit të Trenit, ishte Fakulteti i Shkencave të Natyrës; kurse poshtë, nga Spitali Civil, ishte Fakulteti i Mjekësisë. Të gjithë zienin nga fletë-rrufetë dhe me një nxitje të ashpër, kundër studentit tiranas.

Nuk na linin të qetë për asnjë çast. Befas nisën të sulmonin edhe femrat e emancipuara e të bukura, të cilat dukej se po dëshironin të nxirrnin jashtë, të gjithë mllefin e pa-konsumuar erotik, që u ishte grumbulluar “rinocerontëve”, nga jeta që kishin bërë në provincat e largëta.

Të parës ia varën fletë-rrufenë, Vera Bekteshit. Nuk i lanë gjë pa i thënë; gati sa nuk i thoshin; edhe femër e përdalë. E atakonin për veshjen dhe ekstravagancën e saj, por nuk i thoshin asnjë gjë për inteligjencën dhe nivelin e saj, si studente e shkëlqyer.

Dhe ajo e ndjeu shumë. Ishte tepër e shqetësuar dhe, si shumë mike që e kisha, m’u rrëfye me një sarkazëm të hollë: “Janë një tufë injorantësh,- më tha, -dhe bën mirë ti, që tallesh gjithë ditën e u thua ‘rinocerontë’. Por ma kanë bërë edhe këto femrat që po duan të afrohen me komitetet e Partisë dhe që ti i njeh, që më urrejnë, për jetën time të lirë e pa komplekse”.

Më përmendi edhe ndonjë emër, por nuk ka rëndësi, sepse gjithçka në fakt ishte e drejtuar nga një dorë, që vinte nga Sigurimi i Shtetit. “Lëre Vera, – i thashë,- se të gjithë këtë lëvizje, nuk e drejtojnë ata, por Sigurimi i Shtetit”. Ajo ndenji pak dhe më pa në sy. E shihja që edhe ajo dyshonte, por e kuptova se nuk donte ta besonte, jo se nuk e dinte, se ç’ishte Sigurimi i Shtetit, por e shihte shumë të rëndë për familjen e saj, nëse vërtet atë e kishte sulmuar Sigurimi, domethënë Enver Hoxha.

Nuk donte ta pranonte, por në sy pashë dyshim. Ishte shumë inteligjente për të mos i pasur frikë rinocerontët; kishte akumuluar një kulturë solide dhe ishte në vitin e katërt për Fizikë. Kishte espri, siç thonë francezët, por ishte e destinuar të dështonte. Nuk mund ta pranonte Sigurimi i Shtetit, por as edhe ajo shoqëri që ishte e ngritur e gjitha, kundër çdo lloj elite intelektuale.

Koha e tregoi, se ishte e pamundur të bëje ndonjë gjë me Enver Hoxhën, por askush nuk kishte forcë, që të ndryshonte rrjedhën e gjërave. Dhe Vera Bekteshi e ndiente dhe e kuptonte më mirë se unë këtë; ajo ishte femër, madje një femër me inteligjencë të lartë, dhe politika e intrigave të oborreve totalitare, ka shpesh natyrë femërore.

Më vonë, pas dhjetë vjetësh, kur isha në Burgun e Ballshit dhe kur vetë Sigurimi erdhi e më pyeti për Vera Bekteshin dhe donin ta arrestonin, për veprimtari politike kundër regjimit, m’u kujtua kjo bisedë dhe mendova rishtas se, kisha pasur shumë të drejtë qysh atëherë, kur kisha krijuar bindjen se; e gjithë ajo lëvizje prej “rinocerontësh”, drejtohej nga Sigurimi i Shtetit.

Advertisement