Politike
REFUZOHET KERKESA E SPAK PER BELINDA BALLUKUN
PS refuzon kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, duke argumentuar se nuk e pengon hetimin.
“Masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit është vendosur në nëntor 2025. Në 16 dhjetor 2025 Prokuroria i ka kërkuar Kuvendit autorizimin për arrestim.
Këshilli pasi dëgjoi prokurorët dhe mbrojtësit e deputetes, zhvilluam diskutimet tona dhe në përfundim kemi këtë qëndrim.
Prokuroria thotë se janë shtuar fakte dhe episode të reja penale çka e shton sanksionin e veprës dhe dëmin hipotetik që ka pësuar shteti.
Në vlerësimin tonë nëse do pranohet fakti se çdo zgjerim i hetimit konsiderohet rrethanë e re që të justifikojë arrestin, çdo procedim penal me shumë episode do përfundonte në paraburgim”, u shpreh Ulsi Manja.
…..
Në Kryesinë e Kuvendit po zhvillohet mbledhja e grupit të PS, ku pritet të shpallet edhe vendimi i socialistëve për kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Në mbledhje do të mbajë fjalën kryesocialisti Edi Rama. Hartimi i raportit të 5 anëtarëve të PS në Këshillin e Mandateve i është besuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manjës. Taulant Balla ka porositur që të jenë të pranishëm të gjithë deputetët, ndërsa nuk do të mungojë as Balluku. Pavarësisht se janë rezervuar për të shprehur publikisht qëndrimin, socialistët kanë lënë të kuptohet se me largimin e saj nga detyra, nuk ka arsye pse të jepet autorizimi për arrestim. Këtë pozicion ka mbajtur edhe kryeministri Edi Rama në mbledhjen me grupin parlamentar dhe ministrat, kur njoftoi ndryshimet në qeveri dhe largimin e Ballukut nga detyra për shkak të masës së pezullimit të vendosur nga GJKKO, që mbeti në fuqi pasi Gjykata Kushtetuese nuk doli dot me një vendim.
Në fakt, anëtarët e Kushtetueses vlerësuan njëzëri se ministri nuk përfiton nga përjashtimet e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për masën e pezullimit. Por ata u ndanë në mënyrën se si kjo duhej realizuar, nëse duhet kërkuar apo jo leja e Kuvendi i Shqipërisë për pezullimin e ministrave. Menjëherë më pas, shumica nxitoi të propozojë një ndryshim në nenin 242/2 të Kodit të Procedurës Penale, duke përfshirë ndalimin e pezullimit edhe për anëtarët e qeverisë, presidentin dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura. Seanca plenare e 12 marsit do të vendosë për fatin e Belinda Ballukut. Tashmë PD e ka publikuar raportin e plotë duke bërë të qartë mbështetjen për kërkesën e SPAK. Ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku është marrë pandehur nga SPAK për ndërtimin e tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe. Ndaj saj rëndon akuza e “shkeljes së barazisë në tendera”.
Ulsi Manja prezanton raportin e PS për Ballukun: Narrativa e SPAK se mund të prishë provat apo të arratiset, hipotetike
Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve ka prezantuar sot raportin në kuadër të kërkesës së SPAK, që kërkon arrestimin e Belinda Ballukut. Në prani të socialistëve, Manja pohoi se narrativa e SPAK se Balluku mund të prishë provat apo të arratiset, është hipotetike, pasi ajo tashmë është shkarkuar nga funksionet e saj dhe është vetëm deputete.
“Dorëzojmë sot raportin e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Falënderoj kolegët e mi në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për trajtimin me seriozitet të kësaj çështjeje. Kemi diskutuar për relacionin dhe pretendimet e palëve në Këshill dhe kemi arritur të dakordësohemi për këtë raport.
Sot që po diskutojmë këtë raport, ka ndodhur një realitet i ri. Jemi përpara një realiteti të ri institucional. Deputetja Balluku nuk ushtron më funksione në Këshillin e Ministrave. Për pasojë, masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale.
Edhe narrativa e SPAK, mbi të cilën është ndërtuar kërkesa, si “rreziku i prishjes së provave” apo arratisja, mbetet hipotetike. Kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një tribunal mediatik. Ndaj është e domosdoshme që ne, si shumicë parlamentare, të flasim qartë, të ndajmë politikën nga drejtësia dhe zhurmën nga faktet.
Të nderuar kolegë, kërkesa e SPAK në fakt, në rastin e Ballukut, ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë për marrjen e autorizimit për heqje lirie apo kontroll banese, pasi nuk është kërkesë për masë sigurimi për herë të parë.
Kuvendit i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e të cilit janë në fuqi, siç është ndalimi i daljes jashtë vendit, me një masë sigurimi më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale që SPAK po heton që nga gushti i vitit 2024.”, tha ai.