Shkrime
Regjimi fitoi ndeshjen e radhës. Vijon përballja

E dhëna e parë që vlen për t’u analizuar është numri i votuesve rezidentë më 11 maj 2025 rreth 1,46 milion, kundrejt votuesve rezidentë më 25 prill 2021 prej 1.66 milion, plot 200 mijë votues më pak apo rreth 12% më pak në 4 vite. Këtu kujtoj se më 2021, për shkak të pandemisë COVID19, do kemi pasur një numër thuajse të papërfillshëm emigrantësh që kanë kuturisur të vinin për të votuar këtu, aq më shumë që Qeveria e mbylli kufirin me Greqinë e me gjasa, më shumë emigrantë mund të kenë ardhur fizikisht e kanë votuar këtë vit në Shqipëri (me kaq shumë fluturime low cost një rrugë e dy a më shumë punë) sesa katër vite më parë.
E dhëna e dytë është që në vitin 2025, me popullsi rezidenciale nën 2.4 milion banor (sipas Censit 2023), kanë votuar mbi 80 mijë vetë (rezidentë) më shumë se në vitin 2005 kur popullsia rezidenciale ishte mbi 3 milion banore (sipas censit 2001), e ato zgjedhje ishin me shumë peshë e shumë emocione dhe shkalla e pjesëmarrjes së rezidencialëve në zgjedhje ishte (dhe ka qenë gjithnjë) shumë e lartë. Ndaj, më shumë gjasa, në zgjedhjet 2025 mund të kemi arritur rekord Gines, ndoshta edhe më shumë se 90% shkallë pjesëmarrjeje rezidenciale, falë një sistemi patronazhimi përmes kulacit dhe/ose kërbacit, me shtrirje kapilare në territor, si kombinim strukturash militanto-politike, militanto-administrative dhe militanto-kriminale, e që kanë tërhequr a shtyrë në votim shumë vetë nga kategoria e abstenuesve të zakonshëm krahas nga kategoria e atyre me lidhje të dobëta me opozitën, hallexhinj e njerëz lehtësisht të thyeshëm gjithfarësoj, ndonëse të pakënaqur me regjimin. Kjo e dhënë tregon se emigrimi i votuesve do ketë qenë shumë më shumë se 200 mijë.
E dhëna e tretë është devijanca sistematike e kampioneve të sondazheve lidhur me përqindjen e votuesve 2021 të opozitës, qoftë PD, qofte LSI a parti të tjera aleate, devijancë kjo në masen 10-12% më pak se rezultati zyrtar i vitit 2021 i opozitës së atëhershme apo ekuivalente me pakësimin me afro ¼-tën e përmasës apo votave të opozitë krahasimisht 2021, devijancë kjo e pashpjegueshme asfare me teorinë e gabimit rastësor ndërsa në cdo kampion votuesit e PS rezultonin në ose mbi nivelin e votave 2021.
E dhëna e katërt, që buron nga shumë studime, lidhet me gjerësinë dhe thellësinë e pabarazisë ekonomike ndërsa nga disa sondazhe rezultoi se pabarazia korrelon fortësisht me votën 2021. Kështu, sipas Eurobarometrit të Euronews të janarit 2024, rreth 60% e votuesve të PS 2021 raportonin se gjendja ekonomike e familjes së tyre ishte e mirë e shumë e mirë krahasuar me një vit më herët, ndërsa vetëm rreth 30% e votuesve opozitarë apo neutralë e raportonin të ketillë. Shpresa për përmirësimin e gjendjes përgjatë vitit në vijim ishte në raportin 70/20/30 përqind sipas tre kategorive të atyre votuesve. Diferencime të ketilla në raport me votën 2021 rezultojnë në vijimësi për shumë çështje duke krijuar kështu pamjen e nje strukture diferencimi e pabarazie të thellë të gjendjes, sjelljes dhe perceptimit në korrelim me përkatësinë politike pra, pozicioni i ndryshëm politik shndërrohet në diferencim ekonomik e social, si shprehje dhe rezultat i diskriminimit (përkatësisht negativ/pozitiv) politik.
E dhëna e pestë është evidentimi në sondazhe i frikës për t’u intervistuar apo për të treguar votën, si një paralele e frikës në elektorat nga sistemi vëzhgues i patronazhimit kapilar që ndërsa të ofron kulaçin a të tund kërrbaçin ka krijuar psikozën së është i aftë të verifikojë nëse ke votuar për ta apo jo mbasi ke pranuar kulaçin apo i je tutur kërbaçit. Me shumë gjasa, mbi 20% e votuesve kanë votuar nën këtë trysini e psikozë.
Lidhur me këto dy të fundit ka plot të dhëna, fakte e ngjarje të përditshme, të raportuara operativisht apo mediatikisht që e vërtetojnë edhe diskriminimin politiko-ekonomik edhe frikën nga presioni i rrjeteve te patronazhimit, si “ushtria territoriale” që bën krehje në çdo gërxh e gëmushe, në shërbim të regjimit.
Në ndërkohë, i gjithë sulmi i vijueshëm kundër opozitës partiake, si nga shteti në shërbim të pushtetit rilindës dhe gjithë faktorët e aktorët vendas të lidhur, me hir a pahir, me regjimin, në aleancë e koordinim me administratën neo-liberale amerikane Biden, mbështetur edhe nga indiferenca cinike, here-herë proaktivizmi antiopozitar i neo-liberaleve europianë, e mbajti opozitën partiake, PD-në më së pari, por edhe PL-në, në konflikte të forta e të zvarritura, ndërsa i dha lëvdata e merita te pamerituara qeverise, duke dobësuar a vrarë kështu shpresën e popullit opozitar për një fitore mbi regjimin, e gjitha kjo ngjashëm me efektet dekurajuese te bombardimit me artileri dhe avionë të territorit dhe radhëve të “ushtrisë” politike opozitare.
Në këto rrethana gjatë katër viteve u krijuan dy rryma elektorale rezidenciale në dëm të opozitës e në favor të regjimit. Njëra rrymë ishte ajo e emigrimit masiv dhe asimetrik, në raporte thellësisht të disfavorshme në krahun opozitar e që e gërryen thellë e gjerë edhe bazën elektorale 2021 të opozitës krahasimisht asaj të regjimit edhe bazën elektorale të votuesve të rinj. Rryma tjetër është ajo e nënshtrimit nga frika duke ia dhënë votën regjimit nën presionin e drejtpërdrejtë të patronazhimit territorial dhe humbjes së shpresës ndërsa sheh “bombardimet” frontale, të forta e të disafishta mbi opozitën politike.
Lidhur me votuesit e diasporës, ndërsa mbi ta u veprua drejtpërdrejt apo indirekt përmes familjarëve të këtushëm me sistemin e patronazhimit por edhe përmes propagandës së fuqishme, duhet konsideruar më së pari se shumica dërrmuese e votuesve të diasporës janë me natyrë militante – e vetëkuptueshme për shkak të përmasës relativisht të vogël kundrejt se teres të këtij korpusi këtë herë si dhe rrethanave dhe mënyrës së regjistrimit për votim – ndërsa regjimi pati shumëfish mundësi e mjete t’i mobilizonte të vetët shumë më herët e shumë më fort se opozita, gjë që shpjegon më së miri rezultatin edhe më të thellë të këtij korpusi krahasimisht votuesve rezidenciale.
Nëse shtojmë këtu edhe përdorimin masiv e të pacipë të fondeve, kompetencave dhe institucioneve të shtetit duke dhënë favore të minutës së fundit për kategori të gjera sociale apo grupe më specifike, konkluzion ky nga më kryesorët në raportin paraprak të OSBE/ODIHR, krahas propagandës së shfrenuar, rezultati elektoral 2025 bëhet i qartë për këdo që ka kokën mbi shpatulla dhe mendjen brenda kafkës.
Gjithsesi këtij rezultati, opozita e nis mandatin e ri opozitar në rrethanat cilësisht të ndryshme krahasimisht mandatit të kaluar. Opozita e ka arritur kompaktësimin e brendshëm dhe ka fituar përvojën e bashkëjetesës harmonike në diversitet. Marrëdhëniet me administratën amerikane nga armiqësore me atë Biden janë tashmë mirëkuptuese e miqësore me atë Trump e po kështu me komunitetin e Partive Popullore Europiane.
Opozita më 11 maj, ka prekur fundin, fund i cili do kishte qenë shumë më i thellë e më i errët se kaq nëse nuk do të ishte bashkuar në vjeshtën 2023 e nuk do ndodhnin ndryshimet në Amerike dhe në Europë duke filluar nga nëntori 2024 – sic edhe parashikohej që nga vera 2023 bazuar tek rezultatet e zgjedhjeve lokale nga ekspertët e OPENDATA.
Regjimi është i fortë deri 5 minuta para se të rrëzohet. Ai nuk rrëzohet me votë përpara se të rrëzohet moralisht dhe konjukturalisht. Pasi ndodh rrëzimi moral e konjuktural votuesi çlirohet nga psikoza e frikës, i zgjohet shpresa dhe me votë e shpartallon regjimin. Shoqëria ka nevojë të fitojë besimin se regjimi mposhtet. Jemi në fillesat e krijimit të kësaj premise. Nëse vijon kështu siç ka nisur pak muaj më parë ngjarjet do rrjedhin vetiu. Opozita politike duhet të bëhet gati sa më shpejt për t’iu përshtatur e paraprirë rrethanave të reja gjithnjë e më të favorshme. Besoj se do e bëjë. Por edhe cilido që e dëshiron mposhtjen e regjimit, sa ende nuk është konsoliduar, duhet të bëjë të gjitha përpjekjet që mund të bëjë, vetë e pa ia kërkua kush.
Veç a tok, më mirë tok.

