Sport
“Rekordmeni” Modriç/ Kroati hyn në histori si lojtari më i titulluar te Real Madrid
Për disa lojtarë mosha është vetëm numra. Klasi i tyre nuk shteron, madje me kalimin e kohësh, ashtu si vera, ngrihet në një tjetër nivel, në përmbajtje dhe shije.
Një prej tyre është Luka Modriç, i cili vendos një tjetër rekord në jetën e tij futbollistike, duke e bërë atë më spektakolare.
Kur u transferua te Real Madrid 12 vite më parë ndoshta nuk e kishte imagjinuar një karrierë të tillë.
Me Superkupën që ngriti mbrëmjen e së mërkurës në Varshavë, mesfushori kroat kthehet në lojtarin me më shumë trofe në historinë e klubit madrilen.
Mes futbollit spanjoll dhe atij ndërkombëtar, Modriç numëron 27 trofe me “los blancos”.
Mesfushori kroat ka fituar 4 herë titullin kampion në La Liga, 2 herë Kupën e Mbretit, 5 herë Superkupën e Spanjës, 6 herë Champions League, 5 herë Superkupën e Europës dhe 5 herë Botërorin për Klube.
Nëse i shtojmë “Topin e Artë” edhe trofetë me Dinamo Zagreb në Kroaci, në fillim të karrierës, atëherë këto numra bëhen me të vërtetë të paarritshëm.
Por Luka Modriç nuk ka ndërmend të ndalet dhe me shumë mundësi rekordi I tij personal do të thellohet më shumë.
Megjithëse po i afrohet të 40-ve, mesfushori rinovoi edhe për një tjetër sezon krontratën e tij me Real Madrid.