Aktualitet
Rënia e rendit liberal dhe thyerja e narrativës së pas Luftës së Dytë Botërore

Nga Red Varaku
Rënia e rendit liberal dhe thyerja e narrativës së pas Luftës së Dytë Botërore
Për më shumë se 70 vjet, bota ka jetuar brenda një rendi të ndërtuar mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore: demokraci liberale, dominim amerikan, treg global dhe institucione ndërkombëtare që garantonin “rregull, paqe dhe zhvillim”. Por sot, nuk ka më asnjë dyshim që kjo strukturë po shembet dhe rënia e tij duket e pashmangshme .
SHBA-të dhe Europa Perëndimore e kanë humbur aureolën e padiskutueshme. Ndërkohë që luftojnë me kriza të brendshme politike, me rritjen e ekstremizmave dhe me polarizimin e skajshëm, fuqitë si Kina, Rusia dhe blloku i BRICS kanë ngritur një alternativë të re: rend botëror shumëpolar, ku Perëndimi nuk është më arbitër i moralit dhe drejtësisë.
Prej kohësh është bërë e qartë se zgjedhjet çdo katër vjet dhe mediat e lira nuk mjaftojnë për të prodhuar stabilitet. Populizmi po triumfon mbi konsensusin, përfaqësimi politik është bërë formalitet, dhe qytetarët nuk besojnë më se institucionet punojnë për ta. Në shumë vende, autoritarizmat e moderuar po duken më funksionalë.
Shumë besuan se tregu i lirë do të sillte paqe e prosperitet për të gjithë. Por në vend të kësaj, u krijuan klasa të reja përfituesish globalistë dhe të humburish lokalë. Sot, shtetet po rikthehen te proteksionizmi, nacionalizmi ekonomik dhe tek izolimi në kufijtë kombëtarë.
Kultura politike perëndimore po sfidohet nga narrativa të reja, qoftë nga Rusia me ortodoksinë dhe identitetin etniko-kulturor, qoftë nga Kina me pragmatizmin autoritar, por edhe nga vendet myslimane me kërkesën për respekt të sistemit të tyre shoqëror. Shkurt, rendi liberal perëndimor nuk është më modeli universal i gjithëpranuar.
Interneti, Chat Gpt ,rrjetet sociale kanë shkatërruar monopolin e së vërtetës. Çdokush mund të prodhojë informacion, propagandë apo dezinformim. Realiteti është bërë i diskutueshëm. Beteja nuk është më për territor, por për narrativa.
Popujt janë lodhur nga predikimet për “demokraci, të drejta dhe barazi” ndërkohë që Perëndimi bombardon, ndërhyn dhe bën pazar me terroristë dhe diktatorë . Kjo hipokrizi ka shkatërruar autoritetin moral të Perëndimit, edhe brenda vetë shoqërive të tij.
Tashmë, nuk ka më një rend botëror të qartë.
Rendi i vjetër është drejt fundit dhe epoka që nisi në Jaltë tashmë po duket se nuk e ka të gjatë. Rregullat e reja po rishkruhen dhe kush nuk merr pjesë në këtë proces, do të jetë viktimë e tij.

