OPINION
Revoltohet Tafani: Hapja e Lojërave Olimpike në Paris ishte një demonstrim i hapur satanizmi
Nga Endri Tafani
Nuk jam besimtar, por kam lexuar aq nga librat e shenjtë për të kuptuar që ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike në Paris ishte një demonstrim i hapur satanizmi dhe fyerje për krishtërimin, që është baza e qytetërimit perëndimor.
Tallja me pikturën e famshme të Leonardos “Darka e fundit”, futja e figurës së “Viçit të Artë”që nënkupton aktin më të lartë të mohimit të besimit, futja e figurës së “Kalorësit të zbehtë”, që eshte një nga katër Kalorësit e Apokalipsit dhe që nënkupton fundin e botës, janë vetëm disa nga elementët që e bënin realisht fyese dhe të pështirë atë shfaqje jo vetëm për besimtarët e krishterë por dhe njerëzit e thjeshtë.
Nuk duket sikur janë simbolika të kota. Prej kohësh në Perëndim tashmë ka një sulm frontal ndaj çdo institucioni social, ndaj familjes, ndaj fesë, ndaj moralit.
Mund të thuhet me plot gojën që është një sulm i qëllimshëm për të shkatërruar çdo strukture sociale ekzistuese që krijon kohezion në shoqëri. E vetmja gjë ku të con kjo rrugë është një kolaps total i qytetërimit perëndimor.
Një Apokalips.
Nuk është rastësi pra dhe futja e Kalorësit të Apokalipsit në atë ceremoni.
Kur ta thonë vetë, duhet ta besosh.