Aktualitet
Rexhep Qosja: Mes meje e Kadaresë, gjykime e vlerësime polemike por e nderuam dhe vlerësuam njëri tjetrin
Të hënën, më 1 korrik 2024, u nda nga jeta intelektuali dhe krijuesi Ismail Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij shumë të nderuar e të dashur, shkrimtares Helena Kadare, bijave të tij Gresa dhe Besiana dhe të gjithë familjarëve të tjerë të familjes Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella edhe miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të tij të shumtë. Ismail Kadare dhe unë kemi pasur takime kur e kur edhe familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella.
Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare.
Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë.
Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë të botuar në Paris.
Por, mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për cështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi.
Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin.
Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore.
Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë.
E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare. Në sajë të tyre Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata.