Shkrime
Rikthimi i gjeopolitikës vs “America First”: Republika – kështjellë mbrojtëse e Kombit

Nga Dr. Sadri RAMABAJA
Hyrje
Parulla “America First” e përdorur nga administrata Trump dhe e vazhduar në forma të ndryshme nga politika amerikane, ka sjellë një rikthim të fuqishëm të gjeopolitikës tradicionale. Ky ndryshim ka pasur dhe pritet të ketë disa pasoja të mëdha për Europën. Këto pasoja do të reflektojnë para së gjithash në dobësimin e multilateralizmit dhe para së gjithash të NATOs.
Administrata Trump vuri në pikëpyetje angazhimin e SHBA ndaj NATO-s, duke kërkuar që vendet europiane të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake. Edhe pas ndryshimeve në administratën Biden, presioni ndaj Europës për të marrë më shumë përgjegjësi mbrojtjeje vazhdon. Kjo ka nxitur disa vende, si Gjermania dhe Franca, të shtyjnë për një mbrojtje të përbashkët europiane, megjithëse ende pa rezultate konkrete.
Ndërkohë derisa lufta në Ukrainë po vazhdonte Europa ishte detyruar të rrisë kapacitetet e saj ushtarake dhe të gjejë zgjidhje afatgjata për sigurinë pa u mbështetur vetëm te SHBA.
“America First” ka frymëzuar lëvizje populiste dhe nacionaliste në Europë, duke nxitur më shumë skepticizëm ndaj BE-së dhe institucioneve ndërkombëtare.
Forcat politike që ndjekin këtë qasje kanë fituar terren në vende si Italia, Franca, Hungaria dhe Polonia. Ndërkaq ndërhyrja amerikane [e administratës Trump] në dobi të AfD në prag të zgjedhjeve në Gjermani, ka ngritur shqetësim në gjithë kampin liberal dhe progresist.
Reduktimi i trupave amerikane nga Europa dhe pasojat e mundshme
Deklaratat e fundit të Presidentit Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Evropa dhe ndryshimet në rendin botëror kanë ngjallur diskutime të shumta mbi pasojat e mundshme për sigurinë ndërkombëtare dhe marrëdhëniet transatlantike.
Sipas burimeve diplomatike, Presidenti Trump ka propozuar një reduktim prej rreth 20,000 trupash amerikane në Evropë, që përbën afërsisht 20% të pranisë aktuale ushtarake amerikane në kontinent. Ky veprim synon rishikimin e angazhimit të SHBA-së në mbrojtjen e Evropës dhe kërkon që vendet evropiane të kontribuojnë më shumë financiarisht për mbulimin e kostove të trupave të mbetura, duke argumentuar se këto forca shërbejnë si parandalues dhe se kostot nuk mund të përballohen vetëm nga taksapaguesit amerikanë.
Megjithatë, disa liderë evropianë kanë shprehur besimin se SHBA-ja nuk ka plane konkrete për tërheqjen e trupave. Presidenti polak, Andrzej Duda, pas një takimi me të dërguarin special amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, deklaroi se “nuk ka absolutisht asnjë synim amerikan për të reduktuar aktivitetin në pjesën tonë të Evropës, veçanërisht në aspektin e sigurisë, ose për të ulur numrin e trupave amerikane”.
Deklarata të ngjashme u publikuan ndërkohë edhe nga komanda e NATO-s dhe zyrtarë amerikan në raport me Ballkanin.
Së fundmi, janë shfaqur raportime që sugjerojnë mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Ballkani, veçanërisht nga Kosova. Këto raportime në mediat e zotëruara nga oligarkët në Kosovë janë afishuar me shpejtësi drite!
Këto shqetësime u ngritën pas negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite, ku u spekulua se Rusia mund të kërkojë tërheqjen e trupave amerikane nga vendet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990.
Megjithatë, zyrtarë të lartë amerikanë dhe të NATO-s kanë mohuar këto pretendime. Një zyrtar i Misionit të SHBA-së në NATO deklaroi se nuk ka pasur asnjë diskutim për reduktimin apo tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.
Po ashtu, një zyrtar i NATO-s theksoi se angazhimi i SHBA-së ndaj Aleancës dhe prania e trupave amerikane në Evropë mbeten të fuqishme, dhe se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në selitjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
Aktualisht, SHBA-ja ka mbi 600 trupa të stacionuara në Kosovë si pjesë e misionit të KFOR-it, duke luajtur një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në rajon. Italia gjithashtu kontribuon me mbi 1,200 trupa në këtë mision.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se një tërheqje e mundshme e trupave amerikane mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin e rajonit, duke rritur pasigurinë dhe inkrajuar Serbinë për veprime ushtarake në favor të politikave ekspansioniste tashmë të promovuara që ndërlidhen me objektivin për krijimin e Botës Serbe.
Në përgjithësi, pavarësisht spekulimeve, deklaratat zyrtare nga SHBA-të dhe NATO-ja konfirmojnë vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ndikimi në rendin botëror
Politikat e Presidentit Trump kanë sjellë ndryshime të konsiderueshme në rendin botëror. Qasja e tij “Amerika e Para” ka sfiduar institucionet dhe aleancat tradicionale ndërkombëtare, duke përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Kjo qasje ka ngritur pikëpyetje mbi angazhimin e SHBA-së ndaj aleatëve të saj dhe ka nxitur diskutime mbi një rend të ri botëror, ku vendet evropiane mund të detyrohen të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.
Në një intervistë për Euronews Albania, analisti Mentor Beqa theksoi se vendimet e Trump-it mund të kenë pasoja të mëdha për rendin botëror, duke përfshirë dobësimin e aleancave tradicionale dhe rritjen e ndikimit të fuqive të tjera si Kina dhe Rusia.
Sidoqoftë, deklaratat dhe veprimet e Presidentit Trump lidhur me tërheqjen e forcave amerikane nga Evropa dhe ndryshimet në rendin botëror, kanë shkaktuar debat mbi të ardhmen e sigurisë globale dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndërsa një lagje liderësh evropianë mbeten të sigurt për vazhdimin e angazhimit amerikan, të tjerë paralajmërojnë për pasojat e mundshme të një tërheqjeje të tillë.
Në Washington ka plot një muj që është instaluar një lider si Donad Trump-i, që po e sfidon rendin liberal ndërkombëtar, duke i vënë në plan të parë interesat e ngushta kombëtare mbi aleancat tradicionale (America First).
Nëse SHBA-ja distancohet nga Evropa dhe tërhiqet nga Aleanca, që ka pak të ngjarë që të ndodhë, Shqipëria rrezikon të mbetet pa mbrojtje gjeopolitike. NATO-ja mund të mos jetë më çadra që na mbron nga rrebeshet, ndërsa zgjerimi i BE-së mund të vazhdojë të mbetet një histori e hapur dhe e pafund, ngjashëm me fatin e oficerit të ri te Shkretëtira e Tatarëve e Dino Buxatit, shkruan publicisti nga Tirana Lutfi Dervishi.
Por, nëse zhvillimet në rendin e ri botëror përfshijnë një aleancë më të ngushtë mes Donald Trump-it dhe Vladimir Putinit, kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për Ballkanin. Duke pasur parasysh se Ballkani ka qenë një zonë e ndjeshme për ndikimet gjeopolitike të fuqive të mëdha, ky zhvillim mund të krijojë tensione dhe ndryshime strategjike.
Ndryshimi i balancës gjeopolitike
Një aleancë më e ngushtë mes Trump-it dhe Putinit mund të nxisë tensione midis vendeve të Ballkanit që janë të lidhura me Perëndimin dhe atyre që kanë afërsi më të ngushta me Rusinë. Vendet si Serbia, që ka mbajtur një politikë të qëndrueshme, për të mos thënë tërësisht vasaliteti në raport me Rusinë, mund të ndihen të mbështetura, ndërkaq dy republikat shqiptare – Shqipëria dhe Kosova, që janë të angazhuara krah me NATO-n dhe Bashkimin Europian, mund dhe duhet të shtojnë presionin për të mbrojtur integritetin e tyre territorial dhe pavarësinë nga ndikimet ruse. Në fakt dy republikat shqiptre në këtë situtë me urgjencë duhet të ecin drejt unifikimit të Strategjisë, respektivisht krijimit të një komnde të vetme mbrojtëse.
Europa po detyrohet ndërkohë të bëhet gati ta mbrojë Ukrainën qoftë edhe pa Amerikën. Ajo është e bindur se vetëm kështu e bën më të mirën të mundshme në këto qaste historike.
Nëse këtë nuk arrijnë dot ta bëjnë të gjithë tok, si BE e si Europë, atëherë atë do ta bëjë një alencë shtetesh të gatshëm për ta ndaluar marshutën e Putinit.
Takimi urgjent i Parisit e dëshmoi pikërisht këtë strategji veprimi të pritshme dhe të domosdoshme. Kjo lagje e shteteve europiane e kanë kuptuar qartë se duhet mbrojtur Ukraina, qoftë edhe pa Amerikën e Donald Trump-it.
Të dielën Gjermania voton. Më pas, fituesi do të pritet ta bëjë qeverinë dhe të rreshtohet shpejt tok me Francën, Britaninë e Madhe, Polonin dhe shtete tjera; ato i pret beteja për shpëtimin jo vetëm të Ukrainës.
Lufta vazhdon tutje. Rusia e Putinit duhet të ndalet. Kjo rezistencë është në dobi të sigurisë së Europës; ajo garanton lirinë dhe vet jetën.
Europa në këto qaste historike po përballet me një dilemë të madhe gjeopolitike. Ajo duhet të forcojë autonominë e saj strategjike për të mos u varur nga SHBA për siguri dhe ekonomi.
Në çdo rast, rikthimi i gjeopolitikës po detyron Europën të marrë më shumë përgjegjësi për fatin e saj.
Disa vende të Ballkanit, veçanërisht ato që kanë aspirata reale për t’u bashkuar me BE-në, në këto rrethana, duhet të kërkojnë më shumë mbështetje dhe angazhim nga Bashkimi Europian për të mbrojtur stabilitetin e rajonit.
Ky zhvillim mund të çojë në një rritje të tensioneve ushtarake në Ballkan, me mundësi për skenarë të përfshirjes direkte ose indirekte të fuqive të mëdha në konflikte lokale. Mund të ketë rritje të mundësive për destabilizim, siç është edhe rasti i përpjekjeve për të mbajtur kontrollin mbi territore që Serbia i shenjon si “të diskutueshme” qoftë ato në Bosnjë [Republika Serbe] apo në Kosovë [veriu i saj].
Në këto rrethana fare lehtë Ballkani mund të bëhet një fushë për konkurrencën mes fuqive të mëdha, si Rusia dhe Kina në njërën anë, dhe Turqia e Perëndimi në anën tjetër. Nëse aleanca Trump-Putin forcohet, mund të rritet ndikimi rus dhe i Kinës në rajon, duke përmirësuar investimet, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të disa shteteve të Ballkanit dhe duke rritur ndikimin e këtyre shteteve në politikat globale.
Në përgjithësi, pasojat për Ballkanin do të jenë të ndërvarura nga mënyrat se si rajoni do të reagojë ndaj këtyre ndryshimeve dhe se si fuqitë ndërkombëtare do të koordinohen për të mbajtur stabilitetin dhe sigurinë në këtë pjesë të botës.
Përfundim
Në këto rrethna prag lufte, krijimi i përshpejtuar i Qeverisë Kurti III, natyrisht falë edhe pozicionimit të maturuar politik, largvajtës e tejet të urtë të idealistëve si Fatmir Limaj, na e krijon mundësinë reale që të përballemi me kohë me kolonën e pestë.
Duhet ta rikujtoj faktin se Kolona e pestë ka kohë që ka punuar për krijimin e kaosit politik. Aktakuza e ngritur këtë javë ndaj dy spiunëve që punonin në logari të Serbisë, është vetëm maja e Ajzbergut.
Forcimi dhe selitja e marrëdhënieve, sidomos në rrafshin e sigurisë e mbrojtjes, me aleatët tanë perendimor [tok me bërthamën e shteteve që po vihen në dispozicion të mbrojtjes së Ukrainës, rrjedhimisht edhe të Ballkanit], do t’i hapë rrugë shndërrimit të Republikës në një kështjellë që do të vihet në funksion të mbrojtjes së interesave të Kombit.

