Connect with us

Shkrime

Rikthimi i Trump ngjall frikë në Kosovë

Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Charles Kupchan, ka thënë se njohja e Kosovës duhet të jetë parakusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).

Në një intervistë ai ka deklaruar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gaboi që refuzoi të takohej me presidentin serb Aleksandar Vuçic, me 26 qershor në Bruksel.

Megjithatë, sipas ekspertit amerikan, që shërbeu në kohën e sekretares amerikane Hillary Clinton dhe presidentit Barack Obama, Kurti ka të drejtë persa i përket kushteve të vendosura ndaj palës serbe. Ai ka theksuar se të njëjtat, kreu i Qeverisë së Kosovës, duhet t’i paraqes edhe në tryezën e dialogut.

Kupchan gjithashtu ka komentuar edhe rekomandimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, për heqjen e masave të Kosovës, të cilin e ka quajtur “shenjë të mirë”.

“Përsa i përket tre kushteve, sigurisht që Kurti ka të drejtë që Milan Radoiçiq duhet të sillet para drejtësisë dhe se letra e rezervimit e Ana Brnabic është e papërshtatshme dhe e padobishme. Por, ai duhet t’i shtroje ato çështje në tryezën e bisedimeve, jo të vendosë parakushte për negociata. Persa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve të BE-së, Kosova duhet të ecë përpara me zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe” – deklaroi eksperti amerikan.

I pyetur nese duhet të hapet ura e Ibrit apo të diskutohet në dialog, siç kërkohet nga Bashkimi Europian, Kupchan tha se duke pasur parasysh tensionet e vazhdueshme në veri, hapja e urës së Ibrit duhet të arrihet përmes konsultimit mes të gjitha palëve relevante.

“Në këtë fazë delikate të procesit të normalizimit, lëvizjet e njëanshme sjellin rreziqe të panevojshme dhe kanë potencialin për të provokuar më tej tensionet ndërkomunale” – theksoi Kupchan……………..

Dhe teksa ka pasur zëra se me një rikthim të mundshëm të Donald Trump në krye të SHBA-ve, do të kthehet më fuqishëm ideja e – shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kupchan u shpreh: Edhe nëse Donald Trump zgjidhet në nëntor, unë pres që të ketë një konsensus brenda komunitetit transatlantik kundër një shkëmbimi territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pasojë, nuk mund të parashikoj që ky opsion do t’u detyrohet dy vendeve. Megjithatë, nëse Kosova dhe Serbia bien dakord vullnetarisht dhe reciprokisht se një shkëmbim territoresh është një opsion i pranueshëm për sigurimin e normalizimit dhe njohjes reciproke, atëherë nuk pres që bashkësia ndërkombëtare të pengojë.

 

Advertisement