Politike

Rindertimi – Kryeministri Rama në Fushë Krujë dhe Thumane

Lagjet e reja, një kombinim i banesave infividuale me ato kolektive, shërbimeve dhe rekreacionit do të jenë së shpejti modeli i ri i zhvillimit urban i qyteteve që u goditën nga tërmeti i 26 nëntorit të një viti më parë. Në Fushë Krujë vijon papushim puna për ndërtimin e një prej këtyre lagjeve. Në këtë kantier ku po ngrihet lagja “Rilindja” ishte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi, për të ndjekur ecurinë e punimeve pas vizitës së tyre të fundit në këtë kantier.
“Ka një kombinim me 128 banesa individuale. Puna ka ecur me ritme shumë të shpejta dhe kemi dhe 100 banesa kolektive, apartamente. Këtu jemi shumë afër mbarimit, deri në fund të këtij viti, 50 nga këto banesa do jenë të dorëzuara me çelësa në dorë dhe brenda afateve të kontratës do dorëzohet e gjithë zona”, – u shpreh ministri i Rindërtimit.
Në pak javë nisin themelet për 15 pallate banimi me 100 apartamente, të cilave do t’u bashkëngjiten qendra shëndetësore, zyrat e shërbimeve, zonat e gjelbërta dhe një treg modern për produktet e zonës. “Kjo do jetë një nga zonat më të bukura të rindërtimit. Kryetari ka filluar dhe procedurën e përzgjedhjes së familjeve prioritare, në bazë të ligjit, që do banojnë këtu.  Kombinimi i punës me infrastrukturën dhe gjitha arkitektura e gjithë kompleksit të rindërtimit do ta bëjë shembull të rindërtimit këtë zonë”, – cilësoi Ahmetaj.
Lagja “Rilindja” shtrihet në 10 hektarë tokë dhe do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së fëmijëve, prindërve, gjyshërve, që së shpejti do të banojnë në këtë zonë, në kushte pakrahasimisht më të mira se ato që kishin deri një vit më parë.​
Lagja e re e Thumanës po merr formë dita ditës për banorët, të cilët do të rinisin jetën e tyre aty pas një sprove të madhe që kaluan 26 nëntorin e kaluar. Tërmeti që la pa një strehë mbi kokë mijëra familje tanimë do të jetë një kujtimi i largët. teksa shtëpitë e reja po përfundojnë dhe një nga një banorët do të fillojnë të banojnë këto lagje të reja model.
Në Thumanë, ku qeveria po bashkëpunon me fondacionin Firdeus, infrastruktura po shkon drejt përfundimit, teksa mbi 3000 banorë priten të jetojnë në Thumanën e Re, një lagje model jo vetëm për zonën, por për gjithë Shqipërinë.
“Këtu kanë avancuar të dyja projektet, edhe projekti i infrastrukturës, madje në një pjesë të infrastrukturës ka filluar dhe asfaltimi, ndërkohë që fondacioni Firdeus ka filluar punën e vetë me shtëpitë individuale. Këtu është një investim i përbashkët i buxhetit të shtetit, në njërën anë dhe i fondacionit në anën tjetër. Gjithë infrastruktura është investuar nga buxheti i shtetit dhe është bërë gati për shtëpitë individuale”, tha Ahmetaj, gjatë inspektimit të  Kryeministrit Rama në këtë kantier ku puna prej disa muajsh vijon pa ndërprerje.
“Kjo pjesë e Thumanës është e gjitha e re dhe infrastruktura është me standarde europiane e këtë e themi pa asnjë droje”, – theksoi ministri i Shtetit për Rindërtimin.
Thumana është një prej zonave më të goditura nga tërmeti i vitit të kaluar, por shumë shpejt, ajo do të jetë një nga zonat më të bukura, më shtëpi të reja, më të forta se ato që tërmeti shkatërroi dhe me shkollën, kopshtin, ambulancën, njësitë e shërbimeve publike, si edhe qendrën e re komunitare, së bashku me terrenet sportive e parqet.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version