Connect with us

Bota

Rinisin negociatat, apo arratisje? Tre avionë iranianë zbresin në Oman

Të paktën tre avionë të regjistruar në emër të qeverisë iraniane kanë lënë Iranin të mërkurën, pavarësisht bllokimit ajror të shpallur nga Autoriteti i Aviacionit Civil Iranian. Destinacioni i tyre ishte Omani, një shtet që ka shërbyer historikisht si ndërmjetës kyç në negociatat bërthamore mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Sipas burimeve të Reuters, një delegacion iranian ka zbritur në Muskat, megjithëse identiteti i personave në bord nuk është bërë publik deri tani. Zyrtarët iranianë nuk kanë konfirmuar një udhëtim zyrtar. Kjo ka shtuar spekulimet për ndonjë arratisje të mundshme të zyrtarëve iranianë.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mohoi zërat se kishte udhëhequr një delegacion negociator jashtë vendit, duke e cilësuar informacionin si të pavërtetë.

Ndërkohë, misioni i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara reagoi ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ftoi udhëheqësit iranianë të ktheheshin në tryezën e bisedimeve.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, misioni iranian tha: “Asnjë zyrtar iranian nuk ka kërkuar kurrë të përkulet para Shtëpisë së Bardhë. E vetmja gjë më e neveritshme se gënjeshtrat e tij janë kërcënimet e tij frikacake për të ‘eliminuar’ Udhëheqësin Suprem të Iranit. Irani nuk negocion nën presion, nuk pranon paqe nën kërcënim dhe sigurisht jo me një luftënxitës të dështuar”.

Lëvizjet e avionëve iranianë drejt Omanit, pavarësisht mbylljes së hapësirës ajrore, ngjallin spekulime se pas dyerve të mbyllura mund të jenë duke u zhvilluar bisedime të heshtura.

Advertisement