Connect with us

Aktualitet

Rinumërimi në Tiranë e Fier/ Celibashi: Do të marrë 18-20 ditë, s’kërkojmë fonde shtesë, kemi kursyer

Kryetari i komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dha detaje lidhur me dy vendimet e Komisionit e Ankesave dhe Sanksioneve për rinumërimin e votave për dy njësi zgjedhore në Qarkun Tiranë dhe në Qarkun Fier. Para gazetarëve, Celibashi bëri me dije se i gjithë procesi do të realizohet nga stafi i KQZ-së, ndërsa partitë politike nuk kanë asnjë angazhim në këtë proces. Sipas tij, për numërimin e mbi 600 mijë votave do të duhen të paktën 18-20 ditë, ndërsa caktoi edhe vendin e numërimit.

“Procesi i rinumërimit pritet të nisë të hënën ose të martën. Procesi do të zhvillohet ne pallatin e sportit “Farie Hoti” pritet të ketë një kohëzgjatje 18 deri në 20 ditë. Duke qenë se kemi 6 herë më pak tavolina, na duhet 6 herë më shumë kohë sa u është dashur numëruesve të partive. Kemi dashur ta zhvillojmë te Parku Olimpik, por aty do zhvillohet një kampionat europian volejbolli. Kemi parashikuar të ngrihen 24-25 grupe numërimi. Kemi parashikuar të ngrihen 24-25 grupe numërimi. Nuk do të kërkojmë fonde shtesë për këtë proces, kemi kursyer fonde mjaftueshëm. Gjithë administrata e KQZ do jetë në punë. Kemi anuluar edhe lejet vjetore për gjithë stafin e KQZ-së, për të qenë në punë në korrik dhe gusht. Duket që të paktën edhe gjysma e parë e muajit gusht do na gjejë të angazhuar me procesin zgjedhor të 11 majit,”-tha Celibashi.

Partia Demokratike pretendon se në kutitë e votimit ka prova që faktojnë manipulimin e procesit elektoral. Në Fier, për një mandat ka pretendime edhe koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”. Krahas Fierit e Tiranës, KAS ka vendosur që të hapë edhe 44 kuti në qarkun e Dibrës, pas pretendimeve të kandidatit demokrat Xhemal Gjunkshi se i’u vodhën votat.

Advertisement