Connect with us

Politike

Roland Bejko: Disa miq nuk i njoh më, janë klonuar si Berisha

Kryesia e Partisë Demokratike vendosi pak ditë më parë që Roland Bejko, njëri prej anëtarëve brenda radhëve të saj, të jetë emri si kandidat për kryetar Bashkie në Tiranë. Bejko përveç anëtar Kryesie mban në PD edhe postin e Sekretarit për Çështjet Vendore në këtë forcë politik.

I ftuar në Spotlight  Bejko u përfshi në një debat me gazetarët për përballjen politike të tij me Berishën dhe mazhorancën.

“Ka zgjedhur të ketë përballë Berishën të parin, Metën të dytin dhe Ramën të tretin…”, u pyet Bejko

“Unë nuk e bëra këtë lloj renditje. Ne folëm për Partinë Demokratike, prandaj doli dhe emri i Berishës. Dhe Rama s’është kryetar i PD-së, s’është kryetar as i Foltores. Vëri si të duash si renditje. Për mua janë njësoj.

Pse janë njësoj? E kanë ezuruar kohën e tyre politike. Berisha akuzohet për korrupsion të qenësishëm dhe jo pak por nga SHBA-të, i shpallur Non Grata dhe i izoluar, siç ishte i izoluar Enver Hoxha, paralelisht si fenomen. Unë natyrisht, dua që Sali Berisha të humbasë dhe të ikë në shtëpi me vullnetin e tij”, tha ai.

Ndërkohë, gjatë bisedës, Bejko ndau dhe shqetësimin se si ka ndryshuar marrëdhënia me disa prej kolegëve brenda PD-së. Sipas tij, një pjesë e tyre kanë marrë nga bindjet e Berishës.

“Unë ka raste që i takoj miqtë e mi dhe nuk i njoh më, janë apo s’janë të tillë, se ka shumë armiqësi, mëri brenda vetes. Dhe këtë se kuptoj dot. Duhet ta kuptojmë që secioli nga ne ka nevojë për hapësirën e vet politike. Dhe unë kam të drejtat e mia që të kem një mendim ndryshe.”

Bejko foli për mënyrën dhe kushtet në të cilat u zgjodh si kandidat garues për bashkinë e Tiranës. Sipas tij, mbi PD-në ka një presion të jashtëzakonshëm dhe ai mund ta përballonte këtë lloj presioni.

“Në kushtet e emergjencës në të cilat u gjend PD, unë isha kandidati, që e njoh mirë pushtetin vendor, sepse jam ekspert për pushtetin vendor, jam sekretar i pushtetit vendor. Kam qenë drejtues i politikave të zhvillimit, dhe të decentralizimit në Ministrinë e Brendshme, për pushtetin vendor, kam qenë prefekt në Berat, dy vite.

Isha dhe ekspert për rishikimin e reformes territoriale disa muaj më parë në Parlament. Kam bërë dhe projekte për bashkinë e Tiranës dhe jam gati-gati i përfshirë. Jam më gati nga të tjerët. Por, situata është e tillë që me këtë presion të madh që kanë, u mendua kjo që unë, të paktën në këto kushte që jam mund ta përballoja këtë presion, se mos ta harroni, është një presion i jashtëzakonshëm”, tha ai.

Ndër të tjera, Bejko theksoi se e sheh veten si misionar dhe se është një ndër politikanët që nuk i ka përlyer duart me punë të pista.

“Unë i përkas asaj pjese të politikanëve dhe të shoqërisë shqiptare që nuk i ka përlyer duart në punë të pista. Kemi qenë kontributor në politikë. Kemi qenë me të, kemi ndihmuar, jo përfitues nga pushteti. Prandaj, e shikoj veten si një misionar”, tha Bejko

Advertisement