Connect with us

Bota

Roli i CIA-s/ Kur SHBA-të përmbysën qeverinë e Iranit në vitin 1953

Frika nga përfshirjen e Amerikës në luftën midis Izraelit dhe Iranit po intensifikohet. Ndërkohë bashkësia ndërkombëtare po monitoron nga afër lëvizjet e Donald Trump dhe po kërkon shenja të lëvizjeve të ardhshme të Uashingtonit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, nuk do të jetë hera e parë që SHBA-të janë përfshirë në ndryshimin e regjimit në Iran.

Në vitin 1953, SHBA-të ndihmuan në grushtin e shtetit për të rrëzuar kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Iranit, Mohammad Mossadegh, i cili ishte zotuar të shtetëzonte fushat e naftës së vendit, një veprim që SHBA-të dhe Britania e Madhe e konsideruan një goditje serioze, duke pasur parasysh varësinë e tyre nga nafta e Lindjes së Mesme.

Cili ishte qëllimi i grushtit të shtetit?

Qëllimi i grushtit të shtetit ishte mbështetja e monarkut iranian, Mohammad Reza Pahlavi, për të sunduar si Shah i Iranit dhe emërimi i një kryeministri të ri, Gjeneral Fazlolah Zahedi. Përpara grushtit të shtetit, CIA, së bashku me Shërbimin Sekret të Inteligjencës Britanike, ndihmuan në nxitjen e kundërshtarëve të Mossadeghut duke përdorur propagandë. Kështu, organizuan protesta të mëdha kundër Mossadeghut, të cilave shumë shpejt iu bashkua edhe ushtria.

Roli i CIA-s

Për t’i siguruar kryeministrit të ri të vendit, Zahedi, njëfarë stabiliteti, CIA ndau fshehurazi 5 milionë dollarë brenda dy ditëve nga marrja e pushtetit. Në vitin 2013, u publikuan dokumente të deklasifikuara të CIA-s, duke konfirmuar për herë të parë përfshirjen e agjencisë në atë që ndodhi shumë dekada mëparë. Por roli i SHBA-së ishte i njohur tashmë: ish-Presidenti Barack Obama kishte pranuar përfshirjen e SHBA-së në grushtin e shtetit që nga viti 2009.

Pas përmbysjes së Mossadeghut, SHBA-të rritën mbështetjen e tyre për Pahlavi-n që të sundonte si Shah. Por iranianët e kundërshtuan ndërhyrjen e huaj, duke nxitur ndjenjat antiamerikane në vend për dekada të tëra.

Shahu u bë një aleat i ngushtë i SHBA-së

Por në fund të viteve 1970, miliona iranianë dolën në rrugë kundër regjimit të tij, të cilin e konsideronin të korruptuar dhe të paligjshëm. Protestuesit laikë kundërshtuan autoritarizmin e tij, ndërsa protestuesit islamistë kundërshtuan axhendën e tij të modernizimit. Shahu u rrëzua nga pushteti në Revolucionin Islamik të vitit 1979, revolucion që i dha fund monarkisë së mbështetur nga Perëndimi dhe shënoi fillimin e Republikës Islamike dhe sundimit klerikal.

Advertisement