Connect with us

Kosova

Rrahu nënën e tij, arrestohet biznesmeni i njohur, i sekuestrohen arsenal armësh

Rinas Demiri, biznismeni gjilanas, pronar i qendrës tregtare ‘Agmia Center’ në Gjilan, është arrestuar nga policia gjatë ditës së djeshme. Siç mëson Gazeta Insajderi, Rinas Demiri ka rrahur nënën e tij.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Me datën 29.05.2024 Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor Gjilan në vazhdën hetimit të rastit “Dhunë në familje’’ ku dyshuari R.D. kishte ushtruar dhunë në familje“, tha Hashani.

Rinas Demiri është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprën penale ‘’Dhunë në familje’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Tutje, bëhet e ditur se Rinas Demiri, pas një kontrolli të Policisë kishte poseduar edhe armë ilegale në shtëpinë e tij, duke iu konfiskuar tri armë dhe 127 fishekë.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale për gjykatën:

1. Një (1) revolver e llojit Magnum 357,

2. Pesëdhjetë (5)0 copë fishekë Magnum 357

3. Një (1) pistoletë e llojit Zastave 635,

4. Gjashtë (6) copë fishekë të kalibrit 6.95mm

5. Një (1) karikator i zbrazur i kalibrit 6.95 mm

6. Një (1) revolver pa numër serik

7. Gjashtëdhjetë (60) copë fishekë të kalibrit 7.62mm

8. Tre (3) copë fishekë të kalibrit 9mm

9. Një (1) karikator i zbrazur i armës perkatëse

10. Shtatë (7) copë fishekë të kalibrit 7.65 mm”, thuhet në konfirmimin e Policisë për Insajderin.

Gazeta Insajderi para pak javëve ka shkruar lidhur me biznismenin Rinas Demiri, i cili kishte hedhur akuza të rënda në drejtim të prokurorit të Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka dhe dy zyrtarëve policorë të Njësitit Anti-Drogë.

Gazeta Insajderi pati siguruar ankesën e Demirit në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ku ky i fundit thotë se e kanë mbajtur tri orë në intervistim pa prezencën e një avokati mbrojtës.

Pos tjerash, Demiri thotë se është shoqëruar në stacion si i dyshuar për trafikim ndërkombëtar droge pa asnjë dëshmi. Ai thotë se intervistimi ka ndodhur pa prezencën e një avokati mbrojtës. Sipas tij, atij i është thënë nëse ka aktivitet të jashtëligjshëm jashtë vendit, t’i bashkangjiten veprimtarisë së tij.

Tutje, thotë se në rast të mos-bashkëpunimit, e kanë kërcënuar se do t’ia mbyllin biznesin në Gjilan.

Për krejt këto pretendime, Insajderi ka tentuar ta marrë në intervistë Demirin mirëpo i njëjti s’ka pranuar të flasë para kamerave.

 

Advertisement