Aktualitet
Rrahu të moshuarin, dhunuesi sfidon policinë: Gjeni Ulvi Skanën
Alban Skana, i riu që është shpallur në kërkim pasi dhunoi një të moshuar pranë stacionit të autobusit në Astir, i ka kërkuar llogari drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Në një video ai i bën thirrje policisë që të gjej Ulvi Skanën, i riu që rezulton i zhdukur prej 17 majit dhe arsyet pse u vra Klodian Rasha, e më pas të merren me të.
“Jam Alban Skana, jam djalë lurian, kam marrë vesh se Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku më ka shpallur në kërkim. I bëj thirrje, shihni dhe gjeni njëherë se ku është Ulvi Skana, pse e vratë Klodian Rashën në Laprakë dhe pastaj hajdeni dhe merruni me mua. Se ju jeni vetë kriminela dhe merreni me mua që jam në punë time e në hall tim,”- thotë ai në video.
Videija e postuar nga JOQ:
Alban Skana është shpallur në kërkim pasi dhunoi të moshuarin pranë stacionit të autobusit në Astir. I moshuari ka qenë duke zbritur nga urbani në stacion, bashkë me nipin e tij 7-vjeçar dhe kur dera e urbanit e mbyllur me shpejtësi nga shoferi, ka përplasur vogëlushin. Ai i ka kërkuar llogari shoferit të autobusit, por është përballur me Skanën (kontrollor biletash) dhe një tjetër person, të cilët e dhunuan të moshuarin.
Ndërsa Ulvi Skana është 29-vjeçari nga Lura i cili prej 17 majit rezulton i humbur. 29-vjeçari jetonte në Bathore dhe sipas familjarëve të tij ai nuk ka pasur kurrë probleme me drejtësinë. Hasan Skana, babai i tij zbuloi edhe se i biri ka qenë shok me Can Karriqin, i cili u vra më 23 dhjetor të vitit 2021 në Kamëz. Karriqi kishte lidhje miqësore me Erigers Mihasin e Armando Dumanin, dy të rinjtë që u vranë më 13 nëntor të vitit 2021 në Astir që dyshohet se kishin lidhje me Ervis Martinajn. Në media është aludua se Skana ka pasur lidhje me të shumëkërkuarin Martinaj, i cili rezulton gjithashtu i zhdukur prej 9 gushtit. Por nëna e Skanës, në një rrëfim për Dosja.al, Fëllënxa Skana mohoi në mënyrë absolute të ketë pasur lidhje mes tyre. Ajo tha se shteti nuk ka interes t’ia gjejë djalin dhe se e ‘përcjellin’ me fjalët: S’është në territorin tonë!