Shkrime
Rrëfimi i Linda Ramës: Kam ngulmuar si bashkëshorte…
“Një dritare për këdo që ka kërshërinë për të kuptuar me çfarë merrem unë si profesioniste dhe kush jam unë si qytetare e angazhuar”, me këto fjalë, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, ka prezantuar platformën e saj online, weebsajtin linda.al, që siç thotë vetë ajo, është hapja e një porte të botës dixhitale mbi jetën e saj profesionale dhe qytetare.
Mes të tjerave, Linda Rama ka rrëfyer jetën “diskrete”, ka folur për prindërit, fëmijërinë e saj, zhgënjimet që ka marrë dhe jetën si bashkëshorte.
“Nuk kam aktivitet në rrjetet sociale, jam shfaqur në ekran rrallë. Kur arsyeja më është dukur vërtet e fortë. Shumë njerëz më pyesin me çfarë merrem. Profesionistët më së shumti janë kështu, larg protagonizmit dhe vëmendjes publike por kqyrës të ndjeshëm të sferës së interesave të përbashkëta, kontribues të dobishëm për shoqërinë. Ata e ushqejnë dhe konsumojnë pa bujë pasionin për profesionin.
Linda.al është nga sot portë e hapur për të pritur vizitorët e saj, studiuesit, ekonomistët, studentët dhe jo vetëm, është një portë për cdo kureshtar që ka interes se cfarë trajtohet në 50 publikime të botuara në vite si autore, bashkëautore, kontribuese apo për opionionet dhe mendimet e mia të dhëna në daljet jo të shpeshta publike. Në një farë mënyre Linda.al është modestisht dhe një moment ceremonial për mua, ndaj kam dëshirë të shtoj edhe dy fjalë.
I përkas gjeneratës që jetoi e ndarë në mes dy kohësh të prera si me thikë nga dy sisteme në luftë me njëri tjetrin, komunizmit dhe demokracisë. Në komunizëm janë rrënjët e formimit tim ndërsa në post-komunizëm apo demokraci është përpjekja e përditshme për tia dalë në ballafaqim me të panjohurën dhe të vështirën. Me dëshirën për të qenë e dobishme për veten, familjen, shoqërinë e vendin. Kam pyetur shpesh veten se cilat kanë qenë momentet rrethanat dhe kushtet e asaj që ka përcaktuar se cila do të isha dhe që do të bëja në jetë.
Kam lindur në njërën prej familjeve tradicionale të Tiranës. Babai im është artist, një njeri me botë të madhe që ka shoqëruar me devotshmëri rritjen tonë. Ai më mundësoi rritjen me një ndjenjë lirie dhe besimi që e tejkalonte atë që ofronte koha. Ndërsa për mamin, jeta ishte punë dhe disiplinë. Kujtoj që akti final i atyre kur bëhej debat për mua ishte im atë i akuzuar nga e shoqja që më jepte shumë liri, dhe ime më, i akuzuar nga i shoqi për mungesë tolerance.
Duhet të ketë qenë ky sens lirie dhe besimi ai që ndezi hershëm tek unë fitilat e rebelimit tim, sa herë ndeshesha me ndonjë padrejtësi. Kështu ndodhte edhe kur dëgjoja frazën se ‘ti je vajzë” si arsye mosbesimi ndërsa për vëllain , fakti që ishte djalë, mjaftonte që të kishte një shkallë lirie më të madhe se unë dhe ime motër. Më vjen për të qeshur sa herë i kujtoj betejat e mia për të mos pranuar asnjë imponim pa argument, nga askush.
Në mëhallën ku u rrita, pallatet në hapësirën përreth shtëpisë u shtuan. Bashkë me to edhe fqinjët. Shokët dhe shokët e mi ishin jo vetëm nga familjet përreth, por edhe nga familjet e transferuara në vite nga Përmeti, Berati, Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Kukësi, Korca. Kishte në mëhallë familje nga komuniteti egjiptian. Hynim e dilnim me ta. Na ndihmonin dhe i ndihmonin dhe sa herë flitej për ta prindërit nuk rreshtnin së lëvduari si njerëz të mirë, punëtorë dhe shumë të talentuar, në art a ustallëk.
Me kohë kuptova se na dallonte jo vetëm origjina por edhe besimi. Gjyshërit edhe pse të palejuar nga regjimi, agjeronin për Ramazan, dhe Iftari ishte mënyra e të mbledhurit së bashku. Fqinjët e krishterë gjysëm fshehuri na bënin pjesë të adeteve të tyre. Kështu mësova që e ndryshmja ishte e parrezikshme. Përkundrazi, bashkëjetesa ishte pasurim.
Unë kam lindur në dhjetor, në shtator kur isha 5 vjec e tetë muaj ëndërroja të filloja klasën e parë së bashku me shokët e mi. E prisja këtë moment me një gëzim dhe kuriozitet të patreguar. Prindërit shkuan të më regjistronin. Por kur u kthyen më thanë se nuk mund të nisja klasën e parë atë vit sepse isha më e vogël sesa mosha e lejuar. Duhet të isha 6 vjec. Fillova të qaja me dënesë dhe e kujtoj atë 1 shtator si ditë të një mërzie të madhe. Deri në atë moment i kisha parë prindërit e mi si ata që për mua bënin gjithcka këtu ishte pikënisja që fillova të kuptoj se cka prindërit dëshironin të bënin për mua jo gjithnjë varej prej tyre dhe rregulli ishte më i fuqishëm se ata.
Në shkollë vajta një vit më vonë. Pak muaj pasi kishim nisur teksa u shfaqen urimet për ditëlindje, pikasa që kishte shokë që ishin regjistruar pa mbushur 6 vjeç duke shënuar dhe tronditjen time të parë. Rregullat nuk ishin për të gjithë njësoj dhe prindërit nuk mund të zgjidhnin gjithcka për mua.
Ky ishte rrugëtimi që më mësoi se liria është rrugëtimi për të marrë mbi vete përgjegjësi dhe si e tillë duhet përdorur me mencuri. Më mësoi se të refuzosh padrejtësinë kërkon jo vetëm kurajo por edhe durim e zotësi. Të jesh vajzë kërkon përpjekje të shtuara për të tejkaluar vështirësitë paragjykime dhe gjykime që për djemtë nuk ekzistojnë. Më mësoi të kuptoi se origjina dhe përkatësia e disallojshme nuk të pengonte për të respektuar njëri tjetrin duke u bërë vlerë e shtuar reciprokisht. Kuptova më tej se cfarë dhimbje shkaktonte padrejtësia dhe trajtimi i ndryshëm i njerëzve.
Në përpjekjet për tia dalë dija ka qenë bashkëudhëtarja e ime e pandarë dhe them se e kuptova në kohë që kush ka dijen e tejkalon zhgënjimin që mund ti rezistojë rrethana apo koha dhe vetë epoka kur jeton. Dhe se të dish më shumë do të thotë të kesh më shumë pavarësi, siguri, përmbushje, lartësi mendimi e gjykimi dhe sukses. Vlerat e kultivuara që në fëmijëri dhe investimi në dije vijimësisht më kanë bërë më të duruar, më të thellë, më tolerante, këmbëngulëse, të drejtpërdrejtë dhe të sigurtë. Ato më kanë udhëhequr në atë cka jam e c’ka besoj. Dhe në atë që zgjodha të bëj në jetë.
Ndihem me fat se në cdo ditë, në tre dekada,kam bërë me pasion punën që më ka dashur zemra dhe më ka dashur mendja, pa u shkëputur asnjëherë nga tryeza e punës kam ruajtur po ashtu cdo ditë të pakëputur fillin e vëmendjes aktive dhe kontributin për të përbashkëtën. Të cilën e kam ndjerë si një shtysë të pandërprerë për ti dhënë përmasë dhe kuptim ambicieve dhe arritjeve personale.
Kam thënë në cdo rast atë që kam menduar. Dhe kam këmbëngulur në atë që kam besuar si nënë, si qytetare, si bashkëshorte profesiniste. Kam bërë atë që kam ndjerë edhe kur më është dashur të marr vendime të vështira. Cdo vështirësi e kam jetuar si një mundësi për të arritur dicka më të mirë për veten dhe për të tjerët si detyrim për të ndërtuar e lënë pas për cdo fëmijë, një rrugë më të mirë dhe më të gjerë sesa rruga që nisa unë në fëmijërinë time.
Linda.al është këtu për të vazhduar këtë rrugëtim të nisur me pak emocione dhe shumë falenderime për ju që më ndoqët deri këtu”, thotë ajo.