Shkrime
Rrëfimi: Unë isha aty kur rrëmbyen Tritan Shehun në Lushnje
Fotoreporteri i ‘97-ës Gent Shkullaku tregon për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Shqip” në Dritare Tv se si nisi revolta në Lushnjë në janar të 1997-ës. Ai flet edhe për momentin kur gjatë revoltës shkoi në Lushnjë edhe zoti Tritan Shehu, edhe ndërsa përpiqej të qetësonte protestuesit, u sulmua nga ata dhe u rrëmbye.
“Në janar pati një protestë ne Vlorë, ku u sulmuan bashkinë. Edhe pastaj ndodhi në Lushnjë. Ditën e parë pati konflikt shumë të madh. Miqtë e mi të agjencive të huaja shkuan në Lushnjë në momentin që ishte arrestuar Rrapush Xheferri dhe kishte ndodhur një revoltë shumë e madhe. Patën çuar përforcime nga Vlora, disa forca speciale. U bë nami ditën e parë.
Unë isha në Tiranë se po ndodhte një protestë. Shkova të nesërmen ne Lushnjë. Gjatë natës policia kishte vajtur edhe kishte arrestuar një pjesë të madhe të organizatorëve të protestës. U nisëm në mëngjes herët me Balozin. Kishin vënë postblloqe rrugës e mezi kaluam. Thoshin, na kanë arrestuar vëllezërit, na kanë marrë kalamajtë, i kanë rrahur. Mezi vajtëm ne Lushjnë. Atje situata ishte e tmerrshme. Na morën, na nxorën te vija e parë e përplasjes. Neve na mbanim të fotografonim, ndërkohë na vinin gurët si shi. Mezi arritëm të shkëputeshim që bëmë ca foto.
Ky ishte momenti i pare që zgjati dy ore. Pastaj dikush na thotë që kanë goditur kameramanin e Reuters dhe e kishin çuar në spital. Kur shkuam ne spital dëgjuam helikopterin qe po shkonte në stadium. Diçka po ndodhte. Para stadiumit u mbush plot me njerëz. Dhe këtu erdhi zoti Tritan Shehu me nja tre policë dhe me disa të arrestuarit e një nate me parë.
Ishte një situatë surreale. Ardhja e Shehut i nxehu me shume gjakrat. Sepse nuk i kishin sjellë gjithë të arrestuarit. I sollën nga Tirana protestuesit me Shehun me helikopter me idenë që ja ne po i nxjerrim nga burgu. Por ata ishin rrahur dhe kjo gjë e acaroi turmën. Zoti Shehu po përpiqej t’i qetësonte. Disa nga kompanitë rentiere i kishin mbyllur që nga dhjetori dhe kishin filluar të shpërndanin 50-60% të shumave që ata kishin investuar. Këtë po mundohej t’u thoshte Shehu, që do ua kthejmë lekët. Por protestuesit e revoltuar i thanë që nuk i donin lekët, por vetëm të lironin nga burgu gjeneral Xhaferrin. Pastaj u nxeh situata, u ngrit njëri me një presh në dorë dhe filloi ta akuzonte.
Më pas filloi të agravohet situata, filluan të hidhen gurë. Shehu kishte vetëm një polic me vete. Sepse me uniforma policie ti nuk mund të afroheshe. Ata u përpoqën ta largonin Shehun, ta hipnin prapë në helikopter. Unë bëra foto deri në momentin që Shehu filloi të largohet, pastaj na u sulën edhe neve. Por u larguam me pak stil, sepse ishte shumë e vështirë të arsyetoje me turmën. U larguam nëpërmjet hekurave se nuk dilnim dot më nga dera. Edhe në dore ishte problem sepse të suleshin. Thoshin: Ju jeni të SHIK-ut fotografoni tani ditën dhe ne vine na marrin natën.
Pasi larguan zotin Shehu u dërguan forca të tjera policore nga Kavaja, Tirana. Por nuk hynin dot në qytet. Dhe siç erdhën u larguan serish makinat.
Zotin Shehu e mbanin në një nga dhomat e zhveshjes në stadium. Erdhën disa nga forcat speciale edhe e nxorën. Pastaj ai doli në një deklaratë edhe tha që takoi disa nga miqtë lushnjarë. Por ne kishim fotot, i botuam një ditë më pas dhe e rrëzuam gjithë këtë deklaratë të Zotit Shehu”, tha fotoreporteri Gent Shkullaku.