Aktualitet
Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, GJKKO nis gjykimin në mungesë për Altin Hajrin
Sot në Gjykatën e Posaçme, pas një viti pezullim u mbajt në mungesë gjyqi për Altin Hajrin, pronarin e “Golden Resort”, i përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës në vitin 2020. Prokuroria e Posaçme lexoi kërkesën për gjykim të Hajrit, mbi të rëndojnë akuzat rrëmbim, mbajtje peng me pasojë vdekjen. Ai u përfaqësua nga avokati Arbër Hoxha, i cili pretendoi se klienti i tij është i pafajshëm.
Sipas Hoxhës, Hajri nuk ka marrë pjesë në rrëmbimin dhe në zhdukjen e trupit të Prengës. Avokati i tij kërkoi që të merrej parasysh vendimi i Gjykatës së Lartë që prishi vendimin me burg për jete për kopshtarin e Golden Resort. GJKKO ka kërkuar që pjesë e gjyqit të bëhen pjesë dhe dëshmitarë që kanë lidhje të afërt me Altin Hajrin.
Hajri ka edhe një mase tjetër sigurie për dosjen e ish- deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë.
Në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës akuzohet dhe Dritan Rexhepi, i cili u ekstradua sot në Shqipëri nga Turqia. Ndaj tij rëndojnë akuza të shumta si “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Dritan Rexhepi ka qenë i shpallur në kërkim nga policia shqiptare si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, trupi i të cilit nuk është gjetur ende, ndërsa dyshohet se është zhdukur në zonën e Shijakut. Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në Janar të vitit 2020, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar gati 5 vite nga ky krim, trupi nuk është gjetur ende, ndërkohë që SPAK ka mbyllur hetimet, ku dhe ka akuzuar zyrtarisht Rexhepin si porositës së rrëmbimit të 47-vjeçarit nga Kamza.
Përmes pamjeve filmike është provuar se Jan Prenga u vra në makinë, ndërkohë që trupi i tij u dërgua në resortin Golden në Shijak, në pronësi të vëllezërve Hajri. Dritan Rexhepi, së bashku me Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, u akuzuan zyrtarisht për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja.
Rexhepi ka pasur konflikt me një nga vëllezërit e Jan Prengës për humbjen e një sasie kokaine në Britaninë e Madhe. Më konkretisht bëhet fjalë për 206 kilogramë kokainë, ndërsa vëllai i viktimës, Astriti e mbante peng në Angli dhe nuk i tregonte se ku e kishte fshehur.