Connect with us

Kronike

Rrëmbimi dhe vrasja Renis Dobrës! Autorët e armatosur u prezantuan si policë për ta “shoqëruar”

Të tjera detaje mësohen lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Shkopetit, ku 23-vjeçari Renis Dobra u gjet i mbytur në liqen. Dobra dyshohet se u rrëmbye, u dhunua dhe më pas e kanë hedhur në liqen, së bashku me makinën.

Sipas kamerave të sigurisë Dobra është ndjekur nga qyteti i Burrelit deri në fshatin Madhesh të Ulëzës, nga një tjetër mjet. Hetuesit kanë sekuestruar disa kamera sigurie brenda qytetit të Burrelit, por në segmentin rrugor ku ka vijuar ndjekja mungojnë kamerat, duke vështirësuar gjurmimin e autorëve.

Burime bëjnë me dije se disa persona të paidentifikuar i kanë zënë pritë makinës me të cilën udhëtonte i riu. Dyshohet se autorët kanë qenë të armatosur dhe fillimisht janë prezantuar si polic, duke u futur në mjetin e 23 vjeçarit për ta “shoqëruar” në Komisariat. Por ata kanë vazhduar rrugën për Shkopet ku dhe u gjet mëngjesin e sotëm i pajetë në breg të liqenit, 23-vjeçari.

Pas vrasjes, autorët dyshohet se e kanë hedhur bashkë me makinën e tij në liqen, ndërsa trupi i të riut ka dalë nga automjeti pak metra pa rënë në ujë. Shkaku i ngjarjes është ende i paqartë, ndërsa ekspertiza ka përcaktuar se në zonën e fytit 23-vjeçari ka shenja mavijosje në qafë dhe ka plagë në trup.

I riu ishte larguar nga banesa mbrëmjen e djeshme dhe sipas njoftimit të Policisë, denoncimin për zhdukjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, e bëri i ati i tij. Familjarët e viktimës fillimisht dyshuan se ai ishte ndaluar nga Policia dhe u paraqitën në Komisariatin e Matit për të pyetur nëse ishte shoqëruar. Pasi janë informuar se i riu nuk ndodhej në polici, kanë nisur menjëherë kërkimet.

Hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore. E para lidhet me një përplasje të mundshme për shkak të parcelave të kultivuara me kanabis, ndërsa pista e dytë ka të bëjë me një konflikt të mundshëm për motive xhelozie apo lidhje sentimentale.

Advertisement