Kronike
Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, Dritan Rexhepi flet për herë të parë në GJKKO
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/11/dritan-rexhepi.jpg)
Dritan (Gramoz) Rexhepi, i njohur ndryshe si “mbreti” i kokainës, ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, në seancën gjyqësore që po mbahet këtë të enjte në GjKKO.
Mësohet se Rexhepi në deklaratën e tij ka mohuar çdo lidhje me Gentian Funiqin, një nga të akuzuarit në këtë çështje. Ai ka thënë se nuk e njeh dhe nuk e ka parë ndonjëherë në jetën e tij Funiqin dhe këtë sipas tij do ta faktojë me prova në vijim
“Në burgun e Pratos kam qenë në siguri të lartë pasi kisha apelin në Firence dhe më mbajtën 10 ditë. Nuk e njoh dhe nuk e kam parë ndonjëherë në jetën time Gentian Funiqin. Do ta faktoj këtë me prova në vijim,” ka deklaruar ai.
Jan Prenga u rrëmbye në 17 janar 2020. Urdhri për rrëmbimin dhe vrasjen e 49-vjeçarit Jan Prenga dyshohet se ka ardhur nga një burg në Ekuador, ku vuante dënimin shqiptari Dritan Rexhepi. Ky i fundit është një emër i njohur nga drejtësia shqiptare, pasi akuzohet për vrasjen e disa policëve në Krujë ndërsa pas krimit u arratis. Gjithashtu në 2014-n ai u arrestua me 240 kg kokainë në Ekuador.
Ndërkohë që për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 17 janar në Kamzë, hetuesit shqiptarë zbuluan përgjimet telefonike nga Ekuadori, lidhur me sasinë e kokainë që do të transportohej nga Amerika Latine në Britani. Kokaina u mor për t’u transportuar nga vëllai i viktimës, Astrit Prenga, i cili nuk e dorëzoi kurrë dhe në formë hakmarrje u vendos rrëmbimi dhe më pas vrasja e Jan Prengës.
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)