Kosova
Rrëmbimi i policëve/ Ministrja gjermane thirrje Serbisë: Liroji menjëherë
Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock u ka bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të qetësojnë situatën e krijuar kohët e fundit në veri.
“Ne kërkojmë të dyja palët që të bëjnë menjëherë ç‘është e mundur për të qetësuar situatën“, tha Baerbock në kuadër të një takimi me homologun e saj nga Bosnja e Hercegovina, Dino Konakoviq, të premten në Berlin.
“Një nga hapat e para është lirimi i menjëhershëm i policëve nga Kosova”, tha Baerbock
Baerbock tha më tej se qeveritë këtë duhet ta bëjnë për qytetarët e tyre.
“Nuk është një detyrim ndaj Brukselit apo Berlinit, por ndaj njerëzve në të dy vendet”, shtoi ai.
Të enjten policia e Kosovës njoftoi se tre pjesëtarë të saj janë rrëmbyer nga autoritetet e Serbisë, brenda territorit të Kosovës, në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi.
Lirimin e menjehershem të policeve e kishin kërkuar më parë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve të QUINT-it.
Ndërkohë, kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, nga ana e tij, tha se “do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, në një takim urgjent për menaxhim të krizave”./ DW.