Bota
‘Rrezik që konflikti të dalë jashtë kontrollit’/ Guterres: I alarmuar nga ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme

Kombet e Bashkuara kanë reaguar me shqetësim të thellë pas një serie sulmesh ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke paralajmëruar për pasoja të rënda globale në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi se është “thellësisht i alarmuar” nga përdorimi i forcës nga ana e SHBA-së kundër Iranit. Në një postim në platformën X, ai theksoi se “ky është një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon që tashmë është në buzë të trazirave dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit – me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën,” shtoi ai, duke u bërë thirrje shteteve anëtare të OKB-së të ndërmarrin hapa urgjentë për uljen e tensioneve.
Guterres theksoi rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se “nuk ka zgjidhje ushtarake – e vetmja rrugë përpara është diplomacia”.
Postimi i plotë:
Jam thellësisht i alarmuar nga përdorimi i forcës nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit sot. Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon që tashmë është në buzë të trazirave – dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit – me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën. U bëj thirrje Shteteve Anëtare të ulin tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas kartës së OKB dhe rregulla të tjera të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë orë të rrezikshme, është thelbësore të shmanget një spirale kaosi. Nuk ka zgjidhje ushtarake. E vetmja rrugë përpara është diplomacia. E vetmja shpresë është paqja.
Reagimi i tij erdhi pak orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se avionët luftarakë amerikanë kishin goditur tre lokacione strategjike bërthamore në Iran, përfshirë objektin nëntokësor të pasurimit të uraniumit në Fordow, të cilin Izraeli e ka konsideruar prej kohësh si një kërcënim të madh për sigurinë e tij kombëtare.
Trump deklaroi se sulmet kishin “shkatërruar plotësisht” objektet kryesore të programit bërthamor të Teheranit, duke paralajmëruar për një reagim edhe më të fuqishëm nëse Irani nuk tërhiqet: “Irani tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha.”
Tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm që nga 13 qershori, kur Izraeli nisi një fushatë ushtarake ndaj objektivave iraniane, duke deklaruar se synimi ishte parandalimi i ndërtimit të një arme bërthamore nga ana e Teheranit – një pretendim që Irani e mohon, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore dhe civile.

