Connect with us

Bota

Rritet numri i emigrantëve kinezë gjatë vitit 2023, universitetet amerikane destinacionet kryesore për studentët

Ndërsa tensionet gjeopolitike midis Pekinit dhe Uashingtonit ishin të larta gjatë vitit 2023, studentët dhe emigrantët kinezë vazhduan të vijnë në Shtetet e Bashkuara, me shumë prej tyre që kalojnë kufirin amerikan më shumë se kurrë më parë. Por si ishte mjedisi për kinezët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2023?

Që nga dyqanet e deri tek restorantet kineze, emigrantët nga Kina mund të ndjehen më mirë në Shtetet e bashkuara se kurrë më parë.

Viti 2023 shënoi 80 vjetorin e shfuqizimit të ligjit që i ndalonte punonjësit kinezë që të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Ne i nderojmë ata që luftuan shumë për ta shfuqizuar atë ligj”, thotë Katherine Tai, përfaqësuese e qeverisë amerikane për tregtinë.

 

 

Tashmë, universitetet amerikane janë destinacionet kryesore për studentët kinezë ndërsa një valë e re migrimi vazhdon në kufirin jugor amerikan.

Emigrantët udhëtojnë me avion drejt Ekuadorit dhe nga aty shfrytëzojnë autobusët, anijet dhe mjete të tjera për të arritur në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Xun Zhang dhe familja e tij ndërmorën një udhëtim të rrezikshëm. Zëri i Amerikës bisedoi me të në fillim të këtij viti. Ai përdori një pseudonim nga frika e hakmarrjes nga qeveria kineze.

“Populli kinez e di se qeveria kineze është shumë e fuqishme dhe kontrollon gjithçka”.

Gjatë vitit 2023 është rritur ndjeshëm numri i prurjeve me më shumë se 24,000 kinezë, krahasuar me vetëm 2000 në vitin 2022.

Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Madeline Hsu, profesore për çështjet e emigracionit dhe studimet aziatiko-amerikane në Universitetin e Merilendit.

“Njerëzit në Kinë janë shumë të pashpresë dhe ka mungesë të mundësive. Ekonomia kineze është në stanjacion ndërsa qeveria ushtron kontroll dhe kufizon jetët e tyre”.

Pasi mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara, shumë emigrantë kinezë kërkojnë azil politik, ndërsa aziatikët janë grupi racor ose etnik me rritjen më të shpejtë. Më shumë se 5 milionë banorë me origjinë kineze jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Amerikanët aziatikë po përballen me akte urrejtje.

Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Manjusha Kulkarni, një nga themeluesit e organizatës “Stop AAPI Hate”.

“Llojet më të përhapura të urrejtjes janë ngacmimet, rreth 88% e atyre që na raportohen, kryesisht ngacmim verbal”.

Këtë vit në Florida janë vënë kufizime të debatueshme që i ndalojnë qytetarët nga Kina dhe vende të tjera kundërshtare të Shteteve të Bashkuara që të blejnë prona. Po ashtu, universiteteve shtetërore u ndalohet që të pranojnë para apo të partnerizohen me Kinën dhe vende të tjera që përbëjnë shqetësim për Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës po shfaqen në nivele lokale, emigrantët kinezë nuk shihen më si një urë lidhëse mes dy vendeve.

“Emigrantët kinezo-amerikanë po përballen me një trysni të madhe, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Kinë. Pekini nuk i sheh ata si nacionalistë apo patriotë të devotshëm. Emigrantët po e gjejnë vetën në një pozitë të vështirë”, thotë profesoresha Madeline Hsu.

Por përvoja ka qenë ndryshe për studentin Shawn Zhan nga Kina. Ai thotë se amerikanët e kanë mirëpritur atë.

“Kam bërë shumë miq në fakultet dhe është me të vërtetë një mjedis gjithëpërfshirës. Shumë studentë janë aziatikë”.

Studentët dhe emigrantët kinezë thonë se duan të gjejnë punë dhe të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara me shpresën për një të ardhme më të mirë./VOA

Advertisement