Connect with us

Politike

Rritja e pagave/ Bylykbashi: Premtimi i Ramës një shkelje e Kodit Zgjedhor

Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka folur në lidhje me premtimet e kryeministrit Rama dhe shkeljen e Kodit Zgjedhor përmes tyre.

Bylykbashi deklaroi se premtimi i Ramës për rritjen e rrogave është një shkelje brutale dhe flagrante e Kodit Zgjedhor dhe parimeve të OSBE-së për zgjedhje të lira dhe demokratike nga ana e kryeministrit.

Deputeti i PD foli edhe për fushatën zgjedhore në kampin e tij teksa tha se ka një vazhdim “të shëmtuar” të sjelljes që “grabiti” logon dhe vulën e PD-së , pasi sipas tij të njëjtët personazhe po përpiqen të ndalojnë koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Sa i përket palës socialiste, Bylykbashi deklaroi se duket se si zyrtarët e qeverisë “po ngjisin shkallët e SPAK”, ndërsa shtoi se mjaftojmë të “ndjekim tubin e Rozetës për të parë se ku shkojnë paratë e kryeministrit”, duke iu referuar Rozeta Dobit, pastrueses që grabiti qindra mijëra euro nga një ish-zyrtare e lartë e qeverisë.

 

 

“Është shkelje flagrante e parimeve të OSBE-së për zgjedhje demokratike. Ata nënvizojnë parime që zgjedhjet janë normale për të gjithë. Shteti ndahet nga partia në pushtet që të garantohen kushte të barabarta për të gjithë në garë. Në një nga raportet më të fundit del si problem parësor përdorimi i burimeve shtetërore në zgjedhje.

Kjo që flasim është shkelje brutale e kryeministrit. Mjafton edhe një premtim i kryeministrit për tu cilësuar si shkelje. Me sa kuptova unë qëndrimi i KQZ zhbën Kodin Zgjedhor. Kushtetuta shqiptare nuk njeh termin qeveri por qeverisje. Dispozita e kodit është e përgjithshme dhe aplikohet në të gjitha llojet e zgjedhjeve. Nëse do merrnim interpretimin e KQZ-së për zgjedhjet lokale kryebashkiaku i Tiranës apo një bashkie tjetër mund të bëjnë kasaphanë me burimet njerëzore. Pas zgjedhjeve qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të abuzojë me pushtetin dhe të shpërndajë përfitime të ndryshme.

Është një veprim i qëllimshëm për të kërcënuar procesin zgjedhor dhe Kodin Zgjedhor. Ndalohet përdorimi i pushtetit për të ndikuar në zgjedhje, është e ndaluar. Kjo gjë mund të bëhet kur e lejon buxheti  i vendit që të bëhet, jo para zgjedhjeve. Nuk kemi pse shtojmë paragrafë për ta bërë të qartë këtë.

Kemi një vazhdim të sjelljes së shëmtuar ku me ndihmën e Edi Ramës po përpiqen të grabisin logon dhe vulën e PD-së, pasi të njëjtët personazhe po përpiqen të ndalojnë koalicionin Bashkë Fitojmë. Nuk kanë shans për këtë. Presioni i pushtetit është ai që është, por ata e kanë kaluar testin e ligjit më parë. Do kishte qenë shumë më e thjeshtë nëse Lulzim Basha nuk do digjte mandatet apo të mos hynte në zgjedhjet lokale. Duket si po i ngjisin shkallët e SPAK zyrtarët e qeverisë, mjafton të ndjekim tubin e Rozetës për të parë se ku shkojnë paratë e kryeministrit. Përfshi këtu dhe skandalin e McGonigal, skandali i inceneratorëve, porti i Durrësit. Këto janë në sytë e të gjthëve”, tha ai.

Advertisement