Connect with us

Politike

Rritja e pagave/ Opozita dhe maxhoranca bashkojnë votat

Një shumicë e cilësuar prej 95 deputetësh votuan pro rritjes së pagave për zyrtarët e lartë  publikë të enjten, pavarësisht se kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha u shprehën kundër rritjes për deputetët dhe ministrat. Projektligjet e qeverisë për hierarkinë e re të pagave morën vetëm tre vota kundër dhe asnjë abstenim.

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, tha se Kuvendi i kishte kërkuar presidentit që të japë pëlqimin për dekretimin e menjëhershëm të tre projektligjeve që lidheshin me pagat e reja, dhe se ai kishte pranuar.

Tre projektligjet e paketës së reformës së pagave parashikojnë rritje të kompetencave të Këshillit të Ministrave në caktimin e pagave në sektorin publik, rritje të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët dhe skemën e re të rritjes së pagave për administratën publike me referencë pagën e presidentit, si më e larta.

Përpara votimit, kryeministri Edi Rama mbajti qëndrim kundër për rritjen e pagave për deputetët dhe anëtarët e kabinetit të tij.

“Unë nuk e votoj këtë pikë,” tha Rama të enjten në Kuvend, edhe pse shtoi se e meritonin për hir të misionit dhe funksionit që kanë deputetët.

Reforma e re e pagave, sipas relacionit të projektligjit,  u imponua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese që u njihte gjyqtarëve dhe prokurëve të drejtën për të përfituar paga më të larta se sa ishte parashikuar në ligjin e posaçëm për pagat e tyre, pjesë e paketës së reformës në drejtësi.

Gjykata e cilësoi të gabuar përllogaritjen e bërë nga qeveria për pagat e magjistratëve duke e ndryshuar atë.

Rama e quajti “lajthitje me vetëdije” dhe një gabim që nuk zhbëhet rritjen e pagave në sistemin e drejtësisë. “Është lajthitje se nuk mund të kemi prokurorë që paguhen më shumë se Presidenti. Mund ta kenë punën me më shumë stres, por nuk mund ta kenë pagën më të lartë,” tha ai.

Kundër rritjes së pagave u shpreh dhe ish-kryeministri Sali Berisha, që kryeson një grup deputetësh të opozitës. Ai e quajti një “akt të turpshëm” dyfishimin e rrogave për zyrtarët e lartë dhe tha se skema e re qeverisë nuk i rriste pagat në sektorin publik, por i ulte ato në raport me inflacionin.

“Të fillohej me minimumin jetik, pensionet nën 200 euro dhe të bënte një zbutje të fuqishme të mjerimit, zhdukte mjerimin,” tha Berisha në Kuvend.

Rritja e pagave për ministrat dhe deputetët u bë me propozim të vetë deputetëve nga mazhoranca dhe opozita gjatë diskutimit të projektligjit në komisionet parlamentare.

Ata e cilësuan të palogjikshme përjashtimin që u kishte bërë qeveria nga piramida hirearkike e pagave të reja, pasi sipas saj do të paguheshin më shumë se deputeti krerë institucionesh të pavarura që raportonin në Kuvend.

Pak deputetë e kundërshtuan këtë propozim. Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, i cili votoi kundër e quajti rritjen të lartë dhe të pajustifikueshme.

Mëngjesin e së enjtes, deputetët u pritën në hyrje të Kuvendit me protestë nga lëvizja Bashkë dhe pankartat e tyre që shkruanin “Hajdutë” dhe “Mos u ngopshi”. Aktivistët e kësaj lëvizjeje hodhën në formë simbolike “kartmonedha” mbi kokat e deputetëve

“Në kushtet kur në Shqipëri pensioni minimal mbetet 8000 lekë, pensioni mesatar 15.000 lekë, nuk ka minimum jetik dhe pagat janë nga më të ultat në Evropë, vendimi për rritjen galopante të pagave të pushtetarëve është edhe i neveritshëm,” deklaroi lëvizja “Bashkë” pas protestës.

Advertisement