Connect with us

Aktualitet

Rrjeti i frikshëm i mafies/ SPAK godet 16 grupe kriminale në tërë Shqipërinë, 3096 përgjime

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2024.

Në raport thuhet se gjatë vitit 2024, SPAK ka realizuar 163 procedime penale ku janë interceptuar 3,096 pajisje telefonike.

Po ashtu, raporti tregon një rritje të madhe të vlerës së aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara, me një total prej rreth 65.5 milionë euro. Vlera e pasurive të sekuestruara është 28.7 milionë euro, ndërsa ato të konfiskuara arrijnë në 36.8 milionë euro.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe traffikut të drogës

Grupet kriminale shqiptare vijojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të krimit, veçanërisht në trafikun e drogës dhe krimin kompjuterik.

SPAK ka evidentuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, të cilat janë aktive në qytete si Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë.

Gjatë vitit 2024, janë dorëzuar në gjykatë 34% e të pandehurve për krime të organizuara, ndërkohë që 70.3% e çështjeve mbeten ende nën hetim.

Korrupsioni i Zyrtarëve të Lartë dhe presioni

Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, SPAK ka hetuar 33 ish-zyrtarë të lartë gjatë vitit 2024. Nga këta, 19 janë dërguar në gjykatë, duke përbërë 52.9% të rasteve. Hetimet kanë treguar se korrupsioni i zyrtarëve të lartë përfshin manipulimin e tenderëve publikë, shkeljen e procedurave dhe pastrimin e parave përmes skemave të sofistikuara financiare.

Në lidhje me problematikat e hasura gjatë hetimeve, SPAK thekson se një nga sfidat më të mëdha mbetet “presioni i jashtëm nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatikë, i cili cenon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime”. Raporti kërkon gjithashtu një mbështetje më të madhe institucionale për të garantuar pavarësinë e SPAK dhe për të mbështetur prokurorët në çështje të ndjeshme.

Përgjimet 

Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 163 procedime penale, ku janë interceptuar 3,096 pajisje fundore (telefonat e personave të dyshuar). Krahasuar me vitin 2023. Në total, janë ekzekutuar 2,046 vendime gjykate, një rritje e dukshme krahasuar me 1,669 vendime në vitin 2023.

Hetimet pasurore

Po ashtu, hetimet pasurore dhe financiare kanë qenë një prioritet i rëndësishëm për SPAK. Gjatë vitit 2024, janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë totale 65.5 milionë euro, duke përfshirë pasuri të sekuestruara prej 28.7 milionë euro dhe ato të konfiskuara prej 36.8 milionë euro.

Kjo tregon një rritje të ndjeshme prej 59.7% krahasuar me vitin 2023, duke vënë në dukje efikasitetin e SPAK në luftën kundër krimit financiar dhe pastrimit të parave.

Krimi i organizuar dhe roli i grupeve kriminale në tregjet ndërkombëtare

Grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të krimit, kryesisht në trafikun e drogës, kontrabandimin e qenieve njerëzore dhe krimin kompjuterik. Sipas të dhënave statistikore për vitin 2024, SPAK ka zhvilluar një përpjekje të madhe në hetimin dhe ndjekjen penale të organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale. Nga totali i çështjeve nën hetim, vetëm 4.9% janë transferuar, 3% janë pushuar, 5.6% janë pezulluar, ndërsa 70.3% e çështjeve mbeten pjesë e hetimit për vitin 2025. Po ashtu, 34% e të pandehurve janë dërguar në gjykatë, duke treguar një progres të rëndësishëm në drejtim të zbatimit të drejtësisë.

Sipas vlerësimit të brendshëm të SPAK, janë identifikuar rreth 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë të mbështetur në lidhje familjare dhe miqësore dhe janë të përfshirë edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në trafikun e kokainës. Këto grupe janë aktive në qytete të tilla si Tirana, Durrësi, Shkodra, Kukësi, Lezha, Elbasani dhe Vlora. SPAK ka arritur të provojë me sukses 10 prej këtyre grupeve kriminale, të cilët janë të përfshirë në aktivitete kriminale të organizuara në disa qytete të vendit.

Trafiku i drogës

Në vitin 2024, janë regjistruar 35 çështje për trafikun e drogës, me gjithsej 35 persona nën hetim. Numri i çështjeve nën hetim për këtë vepër penale është gjithsej 124, ndërkohë që 5 çështje janë dërguar në gjykatë për gjykim, me 33 të pandehur. Hetimet për trafikun e drogës janë një nga prioritetet më të mëdha të SPAK dhe shohin një angazhim të vazhdueshëm për të goditur organizatat kriminale që operojnë në tregjet ndërkombëtare të drogës.

Advertisement