Connect with us

Kosova

Rrjeti i iluzioneve dhe sharlatanizmi, pas perdes propagandistike të Bislimit

Për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Kosova është një vend që nuk ka probleme, është duke lulëzuar, ka nevojë shumë për punëtorë, madje ata duhet importuar, sepse rritje ekonomike është më të madhe se kurrë më parë.

Por, krejt këto konstatime, sipas ekspertëve të ekonomisë, janë vetëm “iluzione propagandistike”.

Sipas tyre, antonimet e atyre që Bislimi përpiqet t’i prezantojë me një cektësi të theksuar janë realiteti që ballafaqohen çdo ditë qytetarët e Kosovës.

Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane, Bislimi tha se “Ka aq shumë, shumë, shumë… punë”, duke provuar ta bëjë disi më të vërtetë konstatimin e tij të pavërtetë.

Kjo deklaratë e Bislimit u bë vetëm një muaj pasi që doli raporti nga Agjencia e Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA), ku u rikonfirmua se Kosova, bashkë me Shqipërinë, “për tre muajt e parë të vitit 2024 kanë kryesuar në listën e aplikuesve nga Ballkani Perëndimor që kanë kërkuar azil për në një vend të BE”.

Për ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiçi, Kosova po sheh vetëm lulëzim të izolimit, keqqeverisjes dhe migrimit.

“Deklaratat e Bislimit, përveç që janë gënjeshtra pa kripë, janë të nivelit sharlatanesk, gjë që e karakterizon zv kryeministrin për çdo temë që ai flet” – deklaroi Rukiç duke theksuar se “Kosovës i ikin mesatarisht mbi 170 persona në ditë dhe kjo gje ka shkaktuar çrregullime të mëdha në tregun e punës, rrjedhimisht mungesë të shumë kuadrove”

Per ekspertin e çështjeve ekonomike, Arben Mustafa, ekonomia e Kosovës gjatë viteve të fundit, posaçërisht gjatë qeverisjes së Kurtit, “po kalon nëpër periudhën më të zymtë që nga çlirimi i vendit”.

Opozita por edhe njohësit e çështjeve ekonomike, vazhdimisht kanë kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për politikat ekonomike, posaçërisht për mungesën e investimeve kapitale.

Nga ana tjetër, një numër i konsiderueshëm i të rinjve janë duke u larguar nga Kosova për në vendet perëndimore, për të kërkuar një mirëqenie më të mirë.

Advertisement