Aktualitet
Rruga e asfaltuar po prishet sërish, banorët e Bllacës të Bulqizës protestojnë për guroren
Banorët e Bllacës në Njësinë administrative Shupenzë në Bulqizë kanë dalë sot në protestë për guroren, pasi dhjetë ditë pas asfaltimit të rrugës ajo ka nisur të prishet.
Banorët e këtij fshati kanë vënë re se rruga ka nisur të prishet, e kjo jo për fajin e investitorit por të një guroreje që operon në zonë. Banorët e Bllacës janë mbledhur duke kundërshtuar qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë të firmës që po shfrytëzon gurin në zonën e tyre. Banorët shprehen se nuk janë kundër firmës që të mos marrë gurët për mermer, por të gjejë një alternativë tjetër për të transportuar materialin pasi mjetet kanë prishur rrugën, sepse tonazhi i tyre shkon deri në 60 ton
Banorët kërkojnë që institucionet shtetërore të ndërhyjnë menjëherë në zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë që çështja të mos përfundojë si ajo e Borizanës në Fushë Krujë pak ditë më parë.