Kosova
Rruga e vështirë e pajtimit mes Serbisë dhe Kosovës
Rruga e vështirë e pajtimit mes Serbisë dhe Kosovës
Brukseli nuk e fsheh shqetësimin pas dështimit të bisedimeve për të zbutur tensionin mes Serbisë dhe Kosovës. Takimi i mbajtur në kryeqytetin belg, nën ndërmjetësimin europian, nuk solli ndonjë përparim të rëndësishëm në vendimin e Kosovës për ndalimin e dokumenteve të regjistrimit të automjeteve dhe targave serbe në territorin e saj. Kjo masë do të hyjë në fuqi më 1 shtator, pra një muaj më vonë se sa ishte vendosur.
Alarmi i Josep Borrell
“E gjithë kjo po ndodh në një moment kritik për Europën. Ne po vëzhgojmë rikthimin e luftës në kontinentin tonë. Pas pushtimit rus të Ukrainës, po përballemi me një situatë dramatike dhe shumë të rrezikshme për kontinentin tonë. Nuk është koha për përkeqësim dhe tensione, përkundrazi duhet të kërkojmë zgjidhje”, tha përfaqësuesi i lartë i diplomacisë evropiane Borrell i cili edhe pas takimit mes presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit kosovar Albin Kurti mundi të shtojë…”Nuk kemi arritur marrëveshje, por ky nuk është fundi dhe diskutimet do të rifillojnë në ditët në vijim. Ne nuk dorëzohemi, kemi nevojë për zgjidhje”.
Heshtja e Beogradit
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk ka bërë asnjë deklaratë për rezultatin e takimit të tij në Bruksel me kryeministrin Albin Kurti”. Kështu deklaroi Petar Petkovic, shefi i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, në fund të bisedimeve që zgjatën pesë orë në prani të ndërmjetësve evropianë (përveç Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme Borrell edhe i dërguari special për Ballkani Miroslav Lajçak).
“Ne menduam se ishte e mundur të arrihej një kompromis. Asnjë nga delegacioni ynë nuk do të flasë,” tha Petkoviç, i cili mori pjesë në negociata.
Delegacioni serb, shtoi ai, mbështeti qëndrimin e tij për të garantuar paqen, stabilitetin dhe një zgjidhje kompromisi. Presidenti Vuçiç do të komentojë bisedimet pas kthimit te tij në Beograd – shtoi Petkoviç.
Seanca e negociatave në Bruksel u zhvillua me dy takime trepalëshe mes Vuçiçit, Kurtit dhe ndërmjetësve të BE-së, të dyja të paraprira nga bisedimet e veçanta që Borrell dhe Lajçak patën me presidentin serb dhe kryeministrin e Kosovës.
Roli i NATO-s
Në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi liderët serbë dhe kosovarë për rreziqet e retorikës nxitëse, në të cilën të dyja palët ngritën spektrin e një konflikti të ri në Ballkan. 3700 personel ushtarak nga NATO dhe vendet aleate janë vendosur në Kosovë për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në ato territore, por tensionet në rritje e bëjnë këtë detyrë gjithnjë e më të vështirë. Vende si Spanja, Rusia, Kina dhe India nuk e kanë njohur ende pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës.