Aktualitet
Rrumbullaku anulon urdhrin e Gledis Nanos për…
Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku anuloi urdhërin e paraardhësit të tij Gledis Nano për hapjen e konkursit për gradën “kryekomisar”. Urdhrin i kryepolicit që mban datën 20 Shtator ndërpret konkurrimin për qindra punonjës policie të cilët aplikuan për të qenë mes 75 fituesve.
Gara për gradën ‘kryekomisar’ u hap më 15 Gusht të këtij viti, nga paraardhësi i Rrumbullakut, Gledis Nano dhe kishte si qëllim promovimin e efektivëve në radhët e uniformave blu. Rihapja e këtij konkursi vinte pas më shume se 4 vitesh, pasi ishe pezulluar prej vitit 2018.
Për fitimin e kësaj grade efektivët në nivel ‘komisari’ që shprehën interes për të aplikuar, do duhet të kalonin fazën e testimit me shkrim dhe atij me gojë për pjesën teorike. Krahas këtyre, nga ana e komisionit të dhënies së gradës, kryhet dhe një verifikim i kualifikimit të efektivit në garë.
Vetëm pak muaj më parë Policia e Shtetit hapi aplikimet për gradën ‘drejtues’ dhe ‘drejtues i parë’, garë kjo që u fitua nga rreth 58 efektivë nga 134 që aplikuan në total. Por duket se gara është ndërprerë, ndërsa ende nuk ka një sqarim nga Policia e Shtetit lidhur me arsyet se përse ka ndodhur anulimi i konkursit.