Bota
Rusia akuzon SHBA-të për “akt të qartë piraterie” pas sekuestrimit të një cisternë ruse
Një zyrtar i lartë i partisë në pushtet “Rusia e Bashkuar”, deputeti rus Andrei Klishas, e ka cilësuar të mërkurën si “një akt të qartë piraterie” sekuestrimin nga Shtetet e Bashkuara të cisternës me flamur rus “Marinera”. Lajmi është raportuar nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
Më herët, Ministria ruse e Transporteve njoftoi se më 24 dhjetor 2025 anija “Marinera” kishte marrë leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin e Federatës Ruse, në përputhje me legjislacionin rus dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare.
Sipas të njëjtit njoftim, sot rreth orës 15:00 sipas kohës së Moskës, në ujëra të hapura dhe jashtë ujërave territoriale të çdo shteti, forcat e Marinës Luftarake të SHBA-së u ngjitën në bord të anijes, çka solli humbjen e komunikimit me të.
Ministria ruse e Transporteve thekson se, në bazë të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982, në ujërat ndërkombëtare vlen parimi i lirisë së lundrimit dhe asnjë shtet nuk ka të drejtë të përdorë forcë ndaj anijeve që janë të regjistruara ligjërisht nën juridiksionin e shteteve të tjera.
Ndërkohë, televizioni shtetëror rus RT raportoi më herët se forcat amerikane po përpiqeshin të hipnin në cisternën e naftës nga një helikopter, duke publikuar edhe një imazh ku shihet një helikopter duke fluturuar shumë pranë anijes.